E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitingu PD ne oren 12.00, policia "blindon" sheshin

TIRANE-  Opozita dhe maxhoranca do të “përplasen” sot në qendër të Tiranës. Ndërsa opozita do të vijojë protestën e saj para Kryeministrisë, maxhoranca do të festojë në sheshin “Nënë Tereza”. Megjithëse opozita ka deklaruar se do të jetë paqësore dhe maxhoranca njëherësh ka thënë se nuk do të ketë provokime, asnjëra prej tyre nuk ka garantuar përjashtimin e ndonjë incidenti spontan mes mbështetësve të secilës palë. Protestuesit e opozitës dhe ata që do të festojnë me maxhorancën do të jenë pranë e pranë disa momente para orës 12:00 të ditës së sotme, kur është lajmëruar se do të zhvillohet koncerti festiv i PD-së.  Mes palëve dhe dy grumbullimeve pritet të qëndrojnë forca të shumta të policisë.
Nga PD-ja është njoftuar se do të ketë koncert me të ftuar këngëtarët e saj të zakonshëm. Pritet vetëm një fjalim i rastit i kryeministrit Sali Berisha. Atij, duket se do t’i duhet të përgatisë një fjalim “delikat”, për të mos provokuar ndonjë reagim të papritur të turmës së opozitës, vetëm pak metra më tej. Deputeti i PD-së, Edi Paloka tha dje për median se, në 1 maj mbështetësit e maxhorancës do të shkojnë në sheshin “Nënë Tereza” për të festuar dhe jo për t’u konfrontuar. “Sigurisht, kjo varet nga vullneti i atyre qe drejtojnë PS-në, sepse kanë treguar që janë të papërgjegjshëm. Në qoftë se ata që kërkojnë dhe nxisin konflikt, siç bënë dhe dje në Parlament, do shtyhen deri në hapa të tilla, sigurisht që pasojat do t’i kenë ata, duke filluar nga kryetari i tyre”, - tha Paloka, në një intervistë televizive. Edhe nga ana e deputetëve të PS-së është deklaruar se nuk do të ketë probleme, por e kanë cilësuar paraprakisht si “provokim” mitingun festiv që po organizon qeveria me mbështetësit e saj.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›