E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shnajder: Murinjo reagoi për provokimet

Uesli Shnajder ka mbrojtur trajnerin e Interit Zhoze Murinjo për festën e çmendur në fund të ndeshjes ndaj Barcelonës, në “Kamp Nou”. Reagimi i tij pas fishkëllimës finale të gjyqtarit De Bleker solli një përplasje me portierin katalanas Viktor Valdes, që për pak i vuri duart në fyt. “Reagimi i tij ishte për shkak të provokimeve të shumta”, deklaroi holandezi. Në fakt, as ai vetë nuk e mendonte se do të përjetonte një sezon të tillë, prandaj ka mbrojtur teknikun portugez. “Nga jashtë, Zhoze mund të duket antipatik, por ai që e njeh, e di se është një person madhështor dhe një trajner po kaq i madh, - u shpreh organizatori zikaltër. – Nuk është rastësi që ne japim gjithçka për të”. Por, Murinjo mori jo pak kritika për ekzaltimin e tij pas ndeshjes në “Kamp Nou”, duke vrapuar me gishtin lart në fushë. “Pavarësisht atyre që janë shkruar, njerëzit nuk dinë gjithçka se çfarë na ndodhi kur shkuam në Barcelonë, - shpjegon Shnajder. – Në fund, gëzimi i Murinjos ishte një reagim për provokimet që pësoi, por ishte i lumtur për skuadrën, që vuajti për një orë me 10 vetë. Loja jonë? Nuk mund të bënim gjë tjetër veçse të rrinim në mbrojtje”.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›