E Diel, 1 Nëntor 2026

“8 dhjetori”, Berisha: Përgjegjësi dhe motivim për angazhime historike



Në shenjë mirënjohjeje, Kryeministri Sali Berisha garantoi dje shqiptarët se mbështetjen masive që i dhanë përmes mitingut më madhështor në historinë e pluralizmit në vend, do ta kthejë në përgjegjësi dhe detyrim madhor për të bërë realitet ëndrrën e tyre për heqjen e vizave dhe integrimin në BE. Sipas tij k[y është një motivim për angazhime të tjera historike. Kryeministri vuri në dukje edhe një herë se 8 Dhjetori, tashmë kjo festë kombëtare, bashkoi në shesh gjysmë milioni shqiptarë, një akt historik në nderim të datës që ndau historinë. Z. Berisha, në një mesazh vlerësimi dhënë dje për pjesëmarrësit në mitingun festiv të 8 Dhjetorit, sulmoi sërish kreun e opozitës, Edi Rama. Berisha e etiketoi Ramën si një politikan që, për interesa të pastra mafioze, kërkon të shkelmojë mbi votën e shqiptarëve. Ai u kërkoi qytetarëve shqiptarë që të mos e shohin Ramën si përfaqësues të socialistëve. "Ky zotëri nuk ka asnjë interes opozitar, nuk ka asnjë interes demokratik, ka thjesht vetëm një kauzë mafioze, kauzë e cila qëndron në përvetësimin e qindra mijëra, në mos miliona metra katrorë, troje publike në Tiranë, me klanet mafioze që e drejtojnë dhe i drejton; kauzë e cila konsiston në mbylljen e rrugëve dhe ndërtimin mbi rrugët e kryeqytetit; kauzë, e cila konsiston në shndërrimin në bashkëpronar në tokat dhe trojet publike", - tha Berisha. Kryeministri premtoi se "Rama, pinjoll i Bllokut, nuk do të mundë të luajë me vullnetin e njerëzve". Berisha vuri në dukje: "Ky njeri do të marrë përgjigjen më serioze ligjore dhe çfarë do që të bëjë ky bos i aleancës punisto-mafioze, s’do të mundet kurrë të bllokojë çmontimin çdo ditë të klaneve mafioze, që ai udhëheq, nxjerrjen nga kthetrat e tyre të pasurive publike që kanë përvetësuar, vendosjen e tyre para ligjit". Kryeministri Sali Berisha shtoi tonet e akuzave politike kundrejt kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, një ditë pas ceremonisë festive në përkujtim të 8 Dhjetorit, ditës së fillimit të lëvizjes studentore. “Do të më falni, se do të shprehem, një udhëheqës pa brekë, sepse siç ka dalë zotëria e tij në plazhet publike, nuk ka një politikan të vetëm në botë që të ketë dalë, nuk ekziston një politikan që vazhdon karrierën politike pas një akti apo një gjesti të tillë. Ai njeri deklaron se do të shkelmojë mbi votën tuaj, deklaron se nuk njeh vullnetin tuaj. Pse kjo? Absolutisht fund e krye, vetëm për interesa mafioze të pastra”, - theksoi z. Berisha. Ai shtoi më tej se Rama nuk ka moral të vërë në dyshim votën e hedhur nga shqiptarët më 28 qershor. Sipas Kryeministrit, ai që i mohon fëmijës së tij atësinë, ai, jo votën, por është i gatshëm të mohojë çdo gjë. “Dhe unë dua të zotohem sot prapë para jush se ky pinjoll i Bllokut nuk do të mund të luajë kurrë me vullnetin tuaj, se përpjekja e tij për të luajtur me votën tuaj dhe vullnetin tuaj do të marrë përgjigjen më serioze ligjore dhe se çfarë do që të bëjë ky bos i aleancës punisto-mafioze, s’do të mundet kurrë të bllokojë çmontimin çdo ditë të klaneve mafioze”, - deklaroi z. Berisha. Nga ana tjetër, Berisha falënderoi shqiptarët që e mbështetën dhe vlerësuan reformat e qeverisë, tashmë të demonstruar në mitingun e jashtëzakonshëm të 8 Dhjetorit në sheshin “Skënderbej”. Berisha ftoi qytetarët shqiptarë që, bashkë me qeverinë, të vazhdojnë rrugën drejt integrimit të plotë në BE. “Ajo çka unë pashë, preka, ndjeva, dëgjova në shesh, ishte vërshimi i lumenjve të mëdhenj të entuziazmit, të optimizmit, të shpresës, të besimit. Pra, sheshi “Skënderbej” ishte zbukuruar si kurrë ndonjëherë në historinë e tij me idealet e dhjetorit, me idealin evropian të qytetarëve shqiptarë. Hymë në një fazë, në të cilën po ecim drejt liberalizimit të vizave, integrimit më të shpejtë në Evropë. Të vazhdojmë së bashku rrugën, të ecim të sigurt, duke garantuar të drejtat tuaja dhe të mbarë shqiptarëve, duke i zgjeruar ato, duke konsoliduar çdo ditë e më shumë shtetin ligjor”, - u shpreh z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›