E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovice, Apeli: Te zgjidhet ceshtja e gjykatave

MITROVICE- Misioni i BE-së për sundimin e ligjit thotë se pret një zgjidhje për gjykatat në veriun e Kosovës, brenda gjysmës së parë të këtij viti.

Zyrtarë të tij kanë bërë përgjegjës Beogradin zyrtar për mos arritjen e marrëveshjes për kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në Gjykatat në veri.

Dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Gjykatat në veri të Mitrovicës, ende nuk kanë arritur të funksionalizohen, edhe përkundër përpjekjeve të autoriteteve ndërkombëtare për të arritur një zgjidhje për këtë çështje.

Gjykata në veri u mbyll pasi një numër protestuesisht serbë, në kundërshtim të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e morën atë nën kontroll.

Ata u liruan vetëm pas ndërhyrjes së autoriteteve ndërkombëtare, që çoi në vdekjen e një pjesëtari të policisë së UNMIK-ut, pas përplasjes me protestuesit serbë.

Por autoritetet e misionit të EULEX-it thonë se rikthimi i gjykatësve serbë dhe shqiptarë në Gjykatat në veri është çështje urgjente dhe kanë fajësuar Beogradin zyrtar për pengimin e rifunksionalizimit të Gjykatave.

Zyrtarë të tij i thanë BBC-së se në bisedime me autoritetet e Beogradit për këtë çështje janë angazhuar edhe diplomatë nga vendet anëtare të BE-së, por gjithnjë me dijen e qeverisë në Prishtinë.

Ata thanë se kjo çështje do të mund të zgjidhet brenda periudhës së parë të këtij viti, që do të hapte rrugën për normalizim të jetës në veri.

Aktualisht në Gjykatat në veri janë të angazhuar 3 gjykatës dhe 2 prokurorë të misionit të EULEX-it.
(BBC/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›