E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, Komiteti për Sigurinë: "Arrestoni keqbërësit serbë"

/>Kryebashkiaku i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, i kërkon KFOR-it të ndërhyjë. Haradinaj: "Të ngrihen nënstacione policie në veri"
Komiteti për Siguri, ku marrin pjesë edhe përfaqësues të strukturave politike dhe të sigurisë, ka vlerësuar dje se gjendja e sigurisë në Mitrovicë mbetet e tensionuar pas incidenteve që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit në veri të qytetit. Kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha se grupe të caktuara dhe të organizuara serbe në veri janë duke bërë incidente me qëllim të tensionimit të situatës, ku më pastaj pësojnë banorët e pafajshëm.
Kryetari Rexhepi apeloi për vetëpërmbajtje të popullatës në atë pjesë të qytetit ku përballen me provokime të përditshme. Banorët duhet të bashkëpunojnë me KFOR-in dhe EULEX-in në mënyrë që këtyre strukturave të sigurisë tu lehtësohet veprimi dhe kryerja e përgjegjësive që kanë, ka thënë Rexhepi. Ai theksoi se këto struktura kanë qenë mjaft efikase dhe kanë reaguar shpejt gjatë këtyre ditëve sa ka pasur tensione duke mos lejuar eskalimin e situatës.
Në lidhje me kërkesat e banorëve për kompensimin e dëmeve që kanë pësuar nga dhuna e ditëve të fundit, kryetari Rexhepi, tha se do të shqyrtohen mundësitë që ka komuna si dhe do të kontaktohet me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje. Ai përmendi edhe ankesat e banorëve të fshatrave të veriut, Suhadoll, Vidimriq e Gushavc, për bllokimin e urës që lidh këto fshatra me jugun e qytetit nga KFOR-i, në rastet kur ndodhin incidente.
Rexhepi tha se banorët shqetësohen meqë kanë familjarët matanë Ibrit, prandaj do të ishte mirë që qarkullimi të mos bllokohej për banorët, përderisa kontrollimet janë të kuptueshme. Ai kërkoi nga strukturat e sigurisë që ti identifikojnë sa më parë personat që janë duke bërë këto incidente. Identifikimi dhe arrestimi i tyre do të ishte mesazh i mirë për të gjithë keqbërësit, në të kundërtën ata do të trimërohen për të vazhduar me probleme, tha Rexhepi. Përfaqësuesja e Policisë Rajonale në Mitrovicë, majore. Afërdita Mikullovci, tha se hetimet për të gjitha këto raste që kanë ndodhur këto ditë në veri janë duke vazhduar dhe janë identifikuar disa persona të dyshimtë, të cilët kryejnë veprime kriminale.
Përfaqësuesit e KFOR-it përsëritën se ata janë të përkushtuar dhe të gatshëm që në bashkëpunim me EULEX-in të ndërhyjnë në çdo rast për ta parandaluar destabilizimin e situatës. Në këtë takim të Komitetit për Siguri mori pjesë edhe Adem Mripa, përfaqësues i banorëve të Lagjes së Boshnjakëve, i cili tha se vetëm gjatë 10 ditëve të fundit ai është sulmuar 7 herë. Më kanë sulmuar dhe provokuar në mënyra të ndryshme, më kanë gjuajtur me gurë, me armë, më kanë kërcënuar në telefon etj, ka thënë Mripa.
Ai falënderoj KFOR-in për angazhimin e këtyre ditëve, duke kontribuuar në mbarëvajtjen e gjendjes. Në anën tjetër, ai tha se është shumë me rëndësi që në zonat e ndjeshme në veri, të cilat janë të banuara me popullatë të përzier, të jenë të pranishëm edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.
Mripa tha se banorët kërkojnë gjithashtu kompensimin e dëmeve që kanë pësuar gjatë këtyre ditëve nga grupet e serbëve, të cilët bëjnë presion në forma të ndryshme me qëllim të spastrimit etnik në atë pjesë të Kosovës, njofton Zyra për informim pranë KK Mitrovicë.
 ****************************************************************
 Haradinaj rekomandon hapjen e nënstacioneve policore në veriVendosja e nënstacioneve të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës, në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in do të ishte zgjidhja më e mirë e mbajtjes së situatës së sigurisë nën kontroll. Kështu tha kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në Prishtinë me çrast shpalosi një plan sipas të cilit do të mund të menaxhohej situata e sigurisë në veri.
Me qëllim të ofrimit të ndihmës, për përmirësimin e situatës së sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës, pas incidenteve të fundit, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shpalosi sot një plan, sipas të cilit, institucioneve vendore u rekomandohet hapja e nënstacioneve policore në lagje të caktuara në pjesën veriore të Mitrovicës dhe fshatrave shqiptare e serbe pranë kufirit me Serbinë.
Policia e Kosovës e vendosur në Mitrovicë mund të vendosë nënstacion në Lagjen e Boshnjakëve. Taktika e vendosjes së nënstacioneve është përdor edhe më herët. Njëkohësisht një nënstacion i Policisë së Kosovës mund të vendoset edhe në Suhadoll e po ashtu nënstacion mund të vendoset edhe në vendbanime tjera që shkojnë përgjatë rrugës për Leposaviq, tha Haradinaj .
Haradinaj, tha se vendosja e 3 nënstacioneve të Policisë së Kosovës në veri, kërkon edhe angazhimin e përhershëm të një numri të caktuar të policëve mirëpo kjo do të ishte ndihmesë që do të garantonte parandalimin e sulmeve tjera.
Ky veprim ka mundësi të zhvillohet në harmoni me EULEX-in që është prezent në veri, forcat e KFOR-it po ashtu, në mënyrë që një pjesë e asaj që quhet rend, të ndodh drejtpërdrejtë dhe të garantohet prona, jeta e njerëzve por edhe të evitohen incidentet e mundshme çfarë i kemi parë në këtë kohë, tha Haradinaj .
Vendosjen e nënstacioneve të Policisë së Kosovës, në pjesën veriore të Mitrovicës, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e arsyetoi me faktin se nuk mjaftojnë vetëm thirrjet për vetëpërmbajtje nga krerët e institucioneve pasi sipas tij jo të gjithë qytetarët që jetojnë në atë pjesë mund të vetëpërmbahen pasi ka edhe të atillë që në agjendën e tyre e kanë, provokimin e situatës së sigurisë.

****************************************
Sejdiu dhe Thaçi takohen për situatën
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi bien dakord se gjendja e sigurisë në Kosovë me përjashtim të veriut të Kosovës është e qetë dhe e qendrueshme. Në një takim që dy krerët më të lartë të shtetit kosovar zhvilluan sot paradite u arrit në konkluzionin se "Me përjashtim të veriut të Kosovës, ku ende ka trazira të herëpashershme, gjendja e sigurisë është e qetë dhe qendrueshme", thuhet në një komunikatë shtypi të Zyrës së presidentit, të shpërndarë pas takimit. Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramë Manaj.
Në takim u theksua sërish "vendosmëria e institucioneve dhe qytetarëve të vendit për ndërtimin e një shoqërie demokratike, ku do të mbretërojë rendi dhe ligji si dhe për intensifikimin dhe bashkërendimin e mëtejshëm të punës së institucioneve të Republikës së Kosovës në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre si dhe për gjendjen e sigurisë në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›