E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, kërkohet drejtësi për masakrën e 12 viteve më parë

PRISHTINË - Qendra Rajonale e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë kërkon drejtësi për masakrën 12 viteve më parë në veriun e këtij qyteti të ndarë, të Kosovës.

Me këtë rast kujtohet se, “natën në mes datës tre dhe katër shkurt të vitit 2000, në veriun e Mitrovicës, nga bandat kriminele serbe, u ekzekutuan në shtëpitë dhe banesat e tyre, pa as më të voglin shkas, përveç se ishin shqiptarë, 10 qytetarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe pleq, ndërsa u plagosen rëndë 25 shqiptarë e u keqtrajtuan rëndë fizikisht 93 të tjerë”.

Më tej shtohet se në të njëjtën kohë kishin filluar përndjekjet e përgjakshme të shqiptarëve nga banesat dhe shtëpitë e tyre, me qëllim të spastrimit etnik të veriut të qytetit.

“Vetëm natën mes datës tre dhe katër shkurt, nga veriu i Mitrovicës u dëbuan me dhunë rreth 100 familje shqiptare. Përndjekja e shqiptarëve vazhdoi me intensitet të shtuar edhe në ditët në vijim, kështu që gjatë muajit shkurt të vitit 2000 nga veriu i Mitrovicës u dëbuan me dhunë e të përgjakur mbi 1.500 familje shqiptare”, thekson KMDLNJ në Mitrovicë”.

“Në 12 vjetorin e kësaj masakre, Qendra Rajonale e KMDLNJ në Mitrovicë kërkon drejtësi për viktimat dhe dënimin e kriminelëve, të cilët janë që atëherë të identifikuar nga viktimat dhe dëshmitarët e tjerë okular”, përfundohet në deklaratë.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›