E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, rrihet keq shqiptari

Nga Express më 02 korrik 2011 në ora 18:30

Një serb dhe një goran janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicë, pasi që ata kishin rrahur një shqiptar, të cilit i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të urës mbi lumin Ibër, në zonën e ‘Tre rrokaqiejve’, përkatësisht në parkun e qytetit në jug të Mitrovicës.

Burime të Kosovapress-it thonë se fillimisht dy të rinj nga veriu, një i përkatësisë serbe dhe një goran kanë dalë në jug të Mitrovicës dhe kanë rrahur një të ri shqiptar.

Sipas të njëjtave burime, një njësi e policisë nga veriu ka intervenuar duke arrestuar dy të rinjtë e veriut dhe derisa ishin duke intervistuar viktimën e rastit, shqiptar, në vend të ngjarjes kanë arritur edhe 5-6 persona tjerë, të cilët kishin ardhur në ndihmë viktimës.

Me këtë rast të rinjtë shqiptarë kanë filluar të sulmojnë dy të rinjtë nga veriu, dhe pas intervenimit të policisë ka ardhur deri te një përleshje në mes të rinjve shqiptarë dhe policisë, me ç’rast një polici të stacionit veri i është marrë revolja zyrtare.

Ndërkohë, policëve të veriut i ka dalë në ndihmë edhe një patrullë policore nga stacioni jug, të cilët bashkërisht kanë filluar ndjekjen e personave të përfshirë në incident, thonë këto burime.

Në anën tjetër, shefi i operimeve në policinë e Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nysret Mehmeti, ka konfirmuar rastin për Kosovapress, duke thënë se gjatë një përleshje të një grupi të rinjsh nga veriu dhe jugu i qytetit, që ka ndodhë të premten rreth mesnate në cepin jugor të urës për këmbësorë mbi lumin Ibër, dhe gjatë intervenimit të policisë, ka ardhur deri te marrja e revoles zyrtare të një polici nga ana e të rinjve.

Sipas tij, me këtë rast policëve i ka dalë në ndihmë edhe një patrullë e policisë nga jugu të cilët kanë filluar ndjekjen e personave dhe gjatë ndjekjes personi i cili kishte marrë revolen e policit, kishte hedhur atë në park, pas së cilës policia më vonë e kishte gjetur armën.

“Dy të rinjtë nga veriu janë arrestuar nga policia, ndërkohë që është intervistuar edhe viktima R.M. i nacionalitetit shqiptar”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se policia është në kërkim të aktorëve të përshirë në këtë incident.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›