AP: Kosova e Serbia arrijnë marrëveshjet e para
(E plotësuar) Serbia dhe Kosova kanë arritur marrëveshje për disa çështje praktike, të cilat do ta bëjnë jetën më të lehtë për qytetarët, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Europian, raporton Associated Press.
Këto janë marrëveshjet e para mes dy vendeve, që kur Kosova shpalli pavarësinë, në vitin 2008, vë në pah kjo agjenci e lajmeve.
Zyrtari i Brukselit tha të shtunën se diplomatët nga të dy vendet ranë dakord në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për t’iu ofruar qytetarëve më shumë liri të lëvizjes, për të njohur diplomat universitare të njëri-tjetrit dhe për regjistrat e librave civilë.
Zyrtari ka folur në kushte anonimiteti, në pritje të një njoftimi zyrtar.
AP shkruan se Kosova ka hedhur poshtë çdo bisedim që vë në pyetje shpalljen e pavarësisë, të cilën Serbia refuzon ta njohë.
BE-ja inicioi negociatat e parë të drejtpërdrejta mes dy palëve në mars dhe zyrtarët shpresojnë se do të arrihen marrëveshje të tjera në muajt e ardhshëm.
Në pritje të marrëveshjeve
Në Bruksel, pasdite ka nisur raundi i ri i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, ku pritet që të arrihen edhe marrëveshjet e para konkrete.
Zyrtarët evropianë nuk presin që sot të arrihet marrëveshje për të gjashtë çështjet e diskutuara deri më tash, por janë optimist se marrëveshjet për gjitha pikat të arrihen para pushimeve të verës.
Këshilltari politik i kryenegociatores Tahiri, Visar Xani, tha për Radio Kosovën, se pret që në këtë raund të përmbyllen marrëveshjet: për lirinë e lëvizjes, tregtinë e lirë, telekomunikacionin, energjinë, dokumentet kadastralë dhe ata civilë. Kosova nuk pranon hapjen e temave tjera, para se të arrihet pajtimi për këto çështje që tashmë janë diskutuar, tha Xani.
Serbët e Kosovës kanë pritje të ndryshme nga dialogu Prishtinë – Beograd. Një pjesë e përfaqësuesve politikë shpresojnë se do të gjenden zgjidhje optimale për jetë më të mirë të qytetarëve, ndërsa të tjerët kërkojnë që në këtë dialog të hapet edhe çështja e statusit të Kosovës.
Sot rrethi i pestë i dialogut Kosovë-Serbi
Sot në Bruksel zhvillohet rrethi i pestë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilin pritet arritja e marrëveshjeve të para. Sipas të gjitha gjasave, në takim nuk do të nënshkruhen marrëveshjet, por ato çështje, për të cilat palët do të bien dakord, do të përfshihen në të ashtuquajturat “konkluzat e kryesuesit”, e që në këtë rast është Robert Kuper, zyrtar i lartë i BE-së.
Bashkimi Evropian pret që në raundin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të arrihet pajtimi i parë konkret për disa çështje.
Po ashtu, në Bashkimin Evropian shprehen optimistë se ndër pikat ku do të mund të arrihej pajtim, është lëvizja e lirë e njerëzve, telekomunikacioni, energjia, kadastrat, si dhe njohja e diplomave universitare.
Bashkimi Evropian nuk pret që për të gjitha këto pika të arrihet marrëveshja të shtunën, por është optimist se marrëveshjet për këto gjashtë pika të arrihen para fillimit të pushimeve të verës.
Në Bashkimin Evropian thonë se takimi i së shtunës do të nisë në mëngjes dhe do të zgjasë gjatë tërë ditës, derisa të arrihen marrëveshjet konkrete. Tash për tash nga BE-ja nuk dëshirojnë të japin hollësi tjera rreth këtyre pikave, për të cilat pritet të arrihet marrëveshja.
Në anën tjetër, mësohet se pas arritjes së marrëveshjes dhe pasi që ato në hollësi të shpjegohen në konkluzat e kryesuesit të takimit, do të formohen edhe mekanizmat për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të tilla, edhe në ata mekanizma Bashkimi Evropian pritet të ketë një rol të rëndësishëm.