Gati për universitetin veror

Prej 11 deri më 22 korrik do të mbahet edicioni i njëmbëdhjetë i Universitetit Ndërkombëtar Veror “Prishtina 2011”, në të cilin do të marrin pjesë 500 studentë vendorë dhe të huaj, ndërkohë që risi për këtë vit do të jetë edhe pjesëmarrja e profesorëve ndërkombëtarë.
Mirjeta Ismajli, zyrtare e Zyrës së Universitetit Veror të Prishtinës, ka konfirmuar për Kosovapress se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për hapjen e Universitetit Veror, ndërsa konfirmimi i studentëve pjesëmarrës është bërë deri më datën 24 qershor. Ismajli ka potencuar se deri më tani kanë aplikuar afër 2 mijë studentë nga Kosova e bota, ndërsa pjesëmarrës në universitet do të jenë 500 prej tyre, 300 vendorë dhe 200 ndërkombëtarë.
“Kanë aplikuar shumë studentë nga Evropa, rajoni, Amerika. Kemi shumë studentë nga Amerika, Anglia, Franca. Kemi nga 45 shtete të ndryshme studentë që kanë aplikuar. Kemi edhe profesorë që vijnë nga 13 shtete të ndryshme”, ka thënë Ismajli. Studentët të cilët do të marrin pjesë në Universitetin Veror do ta kenë mundësinë të mësojnë në 24 kurse të ndryshme nga lëmit e ndryshme si nga juridiku, ekonomia, shkenca shoqërore dhe edukimi. Ndërsa me të përfunduar kurset, secili student do t’i nënshtrohet testit për t’u pajisur me certifikata nga Universiteti i Prishtinës.
“Secili prej kurseve të universitetit veror ka katër kredi që mundet t’i marrë studenti dhe mund t’i transferojë në fakultetet përkatëse”, ka thënë Ismajli.