Agjencia e Akreditimit kërkon profilizimin e kolegjeve private
Drejtues të Këshillit Kombëtar të Cilësisë i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës kanë bërë të ditur se programet e reja këtë vit janë shumë të kufizuara, për shkak se agjencia e akreditimit ka përfshirë në proces vetëm ato programe që përkojnë me profilin e kolegjeve private të arsimit të lartë.
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë (KKC) Ferdije Zhushi-Etemi, ka thënë për Kosovapress se bordi ka marrë vendim që secili kolegj privat duhet ta ketë profilin e vet, në të cilin do të identifikohet në hapësirën e arsimit të lartë në Kosovë.
"Programet e reja këtë vit janë shumë të kufizuara, për shkak se agjencia e akreditimit ka tentuar t’i fusë në proces vetëm programet, të cilat përkojnë me profilin e institucionit. Bordi e ka marrë një vendim të qartë që secili kolegj privat, secili institucion duhet ta ketë profilin e vet, në të cilin do të identifikohet në hapësirën e arsimit të lartë në Kosovë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, procesi i akreditimit të programeve është shumë intensiv dhe se profili i kolegjeve nuk i dëmton këto të fundit.
“Unë mendoj që profilizimi do t’i forcojë institucionet për shkak se ato do të përqendrohen në profilin e tyre dhe do të thellojnë cilësinë në ato programe të cilat i identifikojnë që janë profil i tyre. Në këtë mënyrë ne i bëjmë institucionet që pak të mendojnë se me çfarë programe do të aplikojnë dhe cilat janë burimet, sidomos burimet njerëzore për programet të cilat i propozojnë”, ka thënë Zhushi-Etemi.
Këtë hap të Agjencisë së Akreditimit e vlerëson lart eksperti për arsim të lartë në Kosovë, Dukagjin Popovci, sipas të cilit profilizimi i institucioneve private të arsimit të lartë është një hap i mirë, duke pasur parasysh kapacitetet e kufizuara të arsimit të lartë në Kosovë.
“Mendoj që kjo do t’i ndihmojë këto institucione të arsimit të lartë që t’i përforcojnë ato fusha ku qëndrojnë më së miri, ndërkaq në ato fusha ku nuk qëndrojnë mirë dhe nuk kanë numër të mjaftueshëm të studentëve. Pra, nuk janë rentabil dhe ma merr mendja që ky është një hap i mirë dhe në përputhje me praktikat botërore”, ka thënë ai.
Derisa përfaqësues të Kolegjit UBT dhe Fama nuk janë shprehur të gatshëm të flasin lidhur me këtë çështje, Lulzim Tafaj nga Kolegji AAB-Riinvest, konsideron se nuk do të kenë nevojë të konkurrojnë me programe të profilizuara.
“Në momentin që ne e kemi emrin universitet nuk do të kemi nevojë atëherë që të jemi të profilizuar. Çfarë do të kenë nevojë në të ardhmen, të paktën duke iu referuar dispozitave të draft-ligjit, të cilat i kemi parë deri tani atë që do të duhej t’i përmbanin kolegjet”, ka thënë Tafaj.
Ndryshe, të gjitha kolegjet që kanë konkurruar me programe të reja, të profilizuara me datë 5 korrik nga Këshillit Kombëtar të Cilësisë (KKC) do të kenë mundësi të dinë se a i plotësojnë kushtet për hapjen e konkursit në ato programe, apo jo. (KosovaPress)