E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, serbët plagosin 5 shqiptarë



Pesë të rinj shqiptarë kanë pësuar lëndime të rënda trupore të mërkurën në mbrëmje pasi u sulmuan fizikisht nga një grup të rinjsh serbë në një lagje të banuar me popullsi heterogjene në pjesën veriore të Mitrovicës. Policia në Mitrovicë tha se besohet që sulmuesit kishin përdorur mjete të forta, përfshirë këtu shufra metalike, ndërsa njëri nga viktimat kishte deklaruar për policinë, se edhe një sopatë është vënë në përdorim nga ana e të dyshuarve. Për shkak të lëndimeve të rënda trupore, viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Vushtrrisë dhe atë të Prishtinës. "Pesë persona të dyshuar, të gjithë të përkatësisë etnike serbe, të grupmoshës 17 deri 22 vjeç, janë identifikuar dhe arrestuar lidhur me rastin, ndërsa të njëjtit janë liruar pas deklaratave të dhëna në polici me vendim të prokurorit ndërkombëtar të EULEX-it", thuhet në një njoftim të policisë. Rasti është cilësuar nga autoritetet e rendit me motive të urrejtjes ndëretnike dhe po hetohet nga hetuesit policorë të sektorit për krime të rënda. Incidenti është dënuar ashpër nga udhëheqësit shqiptarë të Mitrovicës. Shqiptarët dhe serbët jetojnë të ndarë në Mitrovicë që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999 dhe shumë herë ky qytet është bërë skenë e përleshjeve ndëretnike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›