E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë, vritet një shqiptar në një pritë, shkak një grindje

PRISHTINE-Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur pas një sulmi me armë zjarri që ka ndodhur në orët e pasdites në qendër të Mitrovicës.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, i cili ka bërë të ditur se grupi i sulmuesve, i përbërë nga të paktën katër persona, ka përdorur tre lloje të ndryshme të armëve për të ekzekutuar sulmin.

Incidenti, sipas tij, ka ndodhur pasi autorët u kanë bërë pritë me makinë në vendin e quajtur tek ‘Bunari’ në jug të Mitrovicës disa personave që ndodheshin në një tjetër makinë tjetër dhe më pas kanë shkrehur armët drejt tyre.
Nga të shtënat e armëve mbeti i vrarë shtetasi 30 vjecar Florim Salihu si dhe u plagos një person tjetër.

Hoti ka thënë se po punohet në drejtim të identifikimit të autorëve të dyshuar, dhe dyshohet se ngjarja ka zanafillë një grindjeje të mëparshme.
“Deri në këtë moment nuk është arrestuar askush, ndërsa motivet besohet të jenë të karakterit kriminal. Besohet se të dyja palët kanë pasur një përleshje të mëhershme dhe kjo besohet të jetë rezultat i asaj zënke të mëhershme”, ka thënë ai.

Mësohet se të dyja palët e përfshira në incident janë të përkatësisë etnike shqiptare.

Hetimet për këtë rast thuhet se po kryhen nga Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›