Hetime ndaj gjykatëses Balliu: Nuk filloi procesin gjyqësor
Tiranë- Për herë të parë prokuroria shqiptare hap një hetim ndaj një gjykatësi për shpërdorim detyre dhe kjo lidhur me zvarritjen e qëllimshme të një procesi gjyqësor. Ajo është gjykatësja Rezarta Balliu dhe tani do të hetohet pikërisht për mosfillimin e një procesi gjyqësor.
Padia penale ishte bërë nga avokati i shtetases suedeze, Anna Nordstrom. Ajo është vajza e biznesmenit të ndjerë Vehbi Veliaj, e lindur jashte martese dhe e pranuar zyrtarisht nga i ati, dhe kërkonte njohjen e të drejtës së trashëgimisë pasurore të babait të saj. Pas padisë, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për shpërdorim detyre dhe ja ka kaluar hetimet e mëtejshme prokurores së njësisë Task Forcë, Daniela Sulaj. Lajmi bëhet e ditur për gazetën IDEA nga burime të organit të akuzës.
Pak ditë më parë, avokati i vajzës së biznesmenit të ndjerë Vehbi Veliaj, iu drejtua prokurorisë, me një padi ndaj gjykatëses Rezarta Balliu, e cila kishte dhënë dorëheqjen nga dosja pasi e kishte mbajtur gjashtë muaj në sirtar pa e filluar procesin gjyqësor. Ky ishte rasti i tretë që gjykatësit mbanin dosjen nga gjashtë muaj dhe më pas tërhiqeshin prej saj. Avokati pretendonte, në padinë e tij, se gjykatësit në mënyrë të qëllimshme e kanë mbajtur dosjen pa e hapur procesin dhe më pas dorehiqeshin. Ai kërkoi ndjekje penale për gjyqtaren Balliu, e cila ishte e treta që beri këtë veprim.
Sipas avokatit, studioja ligjore që mbron interesat e vëllait të Anna Nordstrom, djalit të Vehbi Velisë, është pikërisht studioja e Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, dhe të gjithë gjykatësit janë tërhequr njëri pas tjetrit pikërisht si pasojë e presionit nga kjo studio. Padia e Anna Nordstrom ka mbi një vit e gjysmë që është dorëzuar në gjykatën e Tiranës dhe procesi ende nuk ka filluar.
Por për avokatin kjo është shpërdorim detyre nga ana e gjykatësve dhe për herë të parë në prokurori mbërriti një padi ndaj një gjykatësi, edhe pse shtyrja e gjyqëve për vite e vite me radhë është bërë gangrena më e madhe për sistemin e drejtësisë.