Mitt Romney edhe zyrtarisht sfidues i Obamës

Ish-guvernatori i Massachusetsit do ta sfidojë presidentin aktual, Barack Obama, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Romney kaloi të martën pragun prej 1.144 votave të nevojshme për të siguruar emërimin nga partia e tij.
Delegatët republikanë nga shtetet dhe territoret e Shteteve të Bashkuara gjithashtu emëruan kongresistin Paul Ryan për kandidat për nënpresident.
Në mbrëmje, bashkëshortja e Romneyt, Ann, mbajti një fjalim emocional para pjesëmarrësve në Konventë.
“Më lejoni ta them këtë për çdo amerikan që është duke menduar rreth asaj se kush duhet të jetë presidenti ynë i ardhshëm: askush nuk do të punojë më shumë, askush nuk do të kujdeset më shumë dhe askush nuk do të lëvizë qiejt dhe tokën si Mitt Romney, për ta bërë këtë vend një vend më të mirë për të jetuar”, ka thënë zonja Romney.
Vetë Romney është paraparë që të mbajë fjalimin e tij të enjten, më 30 gusht.
Duke bërë hapjen festive në Tampa, udhëheqësit republikanë kritikuan ekonominë e drejtuar nga presidenti Obama dhe ua rikujtuan zgjedhësve shkallën e lartë të papunësisë në vend dhe rritjen e deficitit buxhetor.
Ata miratuan platformën e partisë që bën thirrje për shkurtim tatimesh, me qëllim të stimulimit të ekonomisë, dhënien fund të abortit dhe refuzimin e planit të kujdesit shëndetësor të Obamës.
Reins Pribus, kryesues i Komitetit Kombëtar Republikan, tërhoqi vërejtjen se rizgjedhja e Obamës nënkupton “katër vjet të tjera dështimi”.
Ai tha se Romney dhe Ryan “do ta bëjnë vendin të funksionojë sërish”.
Guvernatori i Neë Jerseyt,Chris Christie, deklaroi se ai beson në Amerikën dhe historinë e saj, por aktualisht këtij shteti i mungon një gjë-lidershipi.
“Është koha që t’i jepet fund kësaj epoke të mungesës së lidershipit në Zyrën Ovale dhe të dërgohen liderët e vërtetë në Shtëpinë e Bardhë. Amerikës i duhen Mitt Romney dhe Paul Ryan dhe neve na duhen ata menjëherë”, tha Christie.
Ndërkaq delegatja republikane nga Arizona, Debra Forrest, deklaroi se “Mitt Romney është një lider i shkëlqyer, i cili do ta zhvillojë ekonominë”. Ai është i guximshëm dhe ai me të vërtetë do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së”, tha Forrest.
Sondazhet e fundit tregojnë se Romney dhe presidenti Obama po zhvillojnë një garë të ngushtë.
Demokratët do të zhvillojnë konventën e tyre në Karolinën e Veiut në javën e ardhshme.
Konventa Republikane është shtyrë për një ditë, për shkak të shqetësimeve se stuhia tropikale Isaac mund të prishte procedurat në Tampa.