E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tarzani i Tiranës

kimete berishaNga Kimete Berisha

Fatos Lubonja është Nazim Bllaca i Tiranës. Nuk u çmend kur për gazetën Vesti të Serbisë tha se po heshtet për krimet e UÇK-së për shkak të frikës.

Askujt nuk ia zë frymën gjoksi i tij bjeshkë kur e rrah sa herë që kujton se neve na duket kurrkushi. Tarzani e ka edhe Çitën e Kosovës. Por, xhungla i mungon, xhungla e asfaltuar e Lubonjës e bën të duket Tarzan i dëshpëruar, pa rrethin virtuoz, pa imagjinatë, pa sharm dhe pa dashurinë e Xhejnit.

Fatos Lubonja është vonuar më shumë se një dekadë për të thënë se krimet e UÇK-së ndaj shqiptarëve, serbëve dhe romëve po heshten si pasojë e etno- psikologjisë shqiptare.

Lëre që nuk janë heshtur këto krime, por gjysma e kryetarëve të komunave dhe deputetëve shqiptarë të Kosovës janë nëpër burgje dhe në hetime, në krye me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili po hetohet për trafikim me organe trupore të serbëve nga hetuesit special të BE-së.

Fatos Lubonja është i vonuar. Të vonuar e bën Nazim Bllaca.  Nazim Bllaca para katër viteve doli dhe e pranoi krimin që e ka bërë, pa e pyetur kush, dhe i zbuloi edhe disa kriminelë të tjerë si vrasës të shqiptarëve.

Prej se ka përfunduar lufta, shqiptarët e mbijetuar kanë zbuluar krimet e njëri-tjetrit, dhe qe 15 vjet, një ditë nuk ka kaluar, pa filmin Krameri kundër Kramerit.

Fatos Lubonja është i vonuar. Nga dëshira për të thënë diçka të madhe, nga dëshpërimi, i konsumuar nga KLANI i Tiranës, po e zbulon një Klan të ri, që e ka për autor Nazim Bllacën.

Kosova e ka një Nazim Bllacë, që bile kur flet për kriminelët shqiptarë ua ngjet edhe emrat dhe ua lakon në të gjitha rasat e mundshme.

Ndërsa Tarzani i Tiranës e rreh tavolinën e drejtësisë serbe, me çekanin e fantastit Sledge Hammer.

Fatos Lubonja është vonuar. Përpara tij dhe Nazim Bllacës, mediat pro- LDK sulmonin SHIK-un e PDK-në për vrasjen e intelektualëve paqësor.

Se, Fatos Lubonja është Tarzani pa xhungël, dëshmon Xhavit Haliti, i dyshuar nga populli për krime. Vitin e kaluar, i dëshpëruar që populli po e merr për kriminel, doli në foltoren e Kuvendit dhe i tregoi popullit që s’është kriminel.

Fatos Lubonja po plaket. Për imagjinatë dhe virtuozitet po e lë ulur Nazim Bllaca.

Ndoshta Nazimit edhe emri i jep fuqi, siç besonin egjiptasit e vjetër kur pagëzonin fëmijët e tyre, kujdeseshin për emrin që do ta zgjedhin, se emri përcakton fatin e njeriut, sipas tyre.

Nazim – është emër arab, që shqip përkthehet – poet! Poet nuk je pa ditur të fantazosh. Fantazia e poetit Neron e bëri ta digjte Romën deri në themel. Por, kur bëjnë këso faje poetike, atëherë nuk del avokat në botë që t’i mbrojë (veç gjitha policitë e botës).

Edhe pa avokat, poeti kurrë nuk mbetet i vetmuar. Atë e mbrojnë muzat e tij.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›