E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjaft, ironi me Nanon, Metën dhe Topallin: Mos ricikloni plehra për president

Share

Lëvizja Mjaft ka protestuar para selisë së Presidentit në Tiranë, për t’i kujtuar politikës shqiptare se posti i Presidentit nuk është një lavatriçe për figurat e njollosura të politikës shqiptare. Përmes disa bluzave T-Shirt, ku duken fytyrat e njollosura të Nanos, Metës dhe Topallit, lëvizja Mjaft ironizoi përpjekjet e politikës shqiptare për të ricikluar figura të konsumuara në krye të shtetit.

Pazaret mes kampeve politike majtas dhe djathtas për zgjedhjen e Presidentit të Republikës po cenojnë moralin dhe domethënien e postit më të lartë shtetëror. Sot emri i kreut të shtetit po mundohet të përcaktohet përmes riciklimit të personazheve të njollosura si Ilir Meta dhe Fatos Nano, apo përmes promovimit të zyrtarëve tashmë me dëshmi paaftësie për të mbështetur konsensusin dhe për të mbrojtur paanshmërinë e interesit të përbashkët siç është Jozefina Topalli. Tashmë në sytë e gjykatës së opinionit publik është provuar në mënyrë përfundimtare dhe të pakundërshtueshme se çfarë përfaqësojnë secili prej tyre, thuhej në deklaratën e tyre.

Më poshtë Mjaft theksoi se procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës mbështetet mbi parimet e shumicës jopartizane dhe mbikëqyrjes së rolit demokratik të institucioneve.

“Në tenderin e Presidentit të sotëm nuk përfshihen këto kritere. Vullneti i shumicës së shqiptarëve, votues ose jo, nuk përfaqësohet nga ryshfeti politik. Në Shqipërinë ku të gjitha palët flasin ditë e natë për korrupsionin nuk është e pranueshme që të gjitha palët që flasin për korrupsionin, të përfshihen në këtë aferë të madhe korruptive, përfshi këtu edhe ata që e miratojnë në heshtje.

Ne, nën petkun e thjeshtë të qytetarit të përgjegjshëm, e kemi për detyrë ta kundërshtojmë çdo marrëveshje që riciklon në procesin e emërimit të Presidentit të Republikës, figura të njollosura si individët e përfshirë. Ne gjykojmë se parimi i kompromisit politik me çdo kusht dhe i stabilitetit të korrupsionit nuk mund të legjitimojë asnjë lloj nëpërkëmbjeje të parimeve të demokracisë.

Kemi qenë gjithmonë kundër zhvlerësimit të postit të Presidentit që në Maj të vitit 2008 në zgjedhjen e tij nga vetëm një shumicë e thjeshtë deputetësh, ndaj dhe kundërshtojmë një zgjedhje të tillë. Ne besojmë se shtrëngimet e duarve dhe buzëqeshjet para kamerave nuk mjaftojnë e as munden të pastrojnë njollat e së shkuarës dhe të së tashmes, përfundon deklarata e Mjaft.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›