“Mjaft më Aman”, protesta kundër rritjes së çmimeve në Shkup

Në Shkup mbrëmë u mbajt protesta e Lëvizjes “Aman” kundër shtrenjtimeve të çmimeve të energjisë elektrike dhe derivateve të naftës.
Në protestën e organizuar kryesisht përmes rrjeteve sociale të internetit kanë marrë pjesë mijëra qytetarë të cilët kanë shprehur pakënaqësinë lidhur me shtrenjtimin e çmimeve të energjisë elektrike, derivateve të naftës dhe ngrohjes.
“Hajna, nuk ju paguajmë më”, “Mjaft më Aman”, EVN – çmime të lira nuk ka më”, “Nuk ka para”, kanë qenë parullat dhe pankartat e protestuesve që protestuan për disa orë në pjesën qendrore të Shkupit pranë selisë së Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Qytetarët kanë kërkuar urgjentisht kthimin e tarifave të energjisë së lirë, korrigjimin e çmimeve të energjisë dhe ngrohjes të njëjtë sikur në vitin 2008 si dhe uljen e çmimeve të derivateve të naftës, duke i vënë një kufi caktues, në përputhje me standardin jetësor dhe të ardhurat e qytetarëve.
“Aman” paralajmëroi se protesta do të mbahen edhe nëpër qytete të tjera dhe ato pritet të jenë masive dhe të kenë përkrahjen e qytetarëve.