E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Breivik mund të ishte shmangur

Një komision i pavarur i ngritur nga qeveria norvegjeze doli në konkluzionin se masakra e Breivik mund të ishte shmangur. Ekstremisti i djathtë vrau 77 persona më 21 korrik të vitit të kaluar. Sipas komisionit, nëse policia do të ishte më efikase, masakra mund të ishte shmangur ose, më e pakta, të ishte kufizuar. Sipas BBC, komisioni ishte ngritur nga qeveria me synim nxjerrjen e mësimeve dhe ndreqjen e gabimeve të mundshme në situata të tilla. Raporti është tashmë në duart e Kryeministrit norvegjez. Ky i fundit pranoi se ndihej i keqardhur për mundësitë e pashfrytëzuara, por u largua pa folur për një mundësi dorëheqjeje. Mes pjesëve më të forta të akuzave të raportit është konkluzioni se dy policë arritën në bregun e liqenit të parët, por zgjodhën të prisnin kolegët e tjerë më të trajnuar për të ndërhyrë. Ata nuk kërkuan një varkë për të kaluar në ishullin ku po ndodhte tragjedia. Raporti thekson gjithashtu se policëve iu desh një kohë e papranueshme prej 35 minutash për të arritur në ishull. Alexandra Bech Gjoerv, kryetarja e komisionit, doli qartë në konkluzionin se vrasësi mund të ishte ndaluar më herët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›