Dialogu, Kosova e ndarë për bisedimet me Serbinë
Kosova nuk ka përfituar asgjë nga procesi i bisedimeve me Serbinë, vlerësojnë përfaqësues të opozitës dhe analistë politikë.
Deklaratat e tyre i pasojnë vlerësimet e zëvendëskryeministres dhe kryenegociatores së Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri. Ajo tha se, pavarësisht faktit që shumica e marrëveshjeve nuk po zbatohet, përfitimet politike të Kosovës, sipas saj, janë mjaft të mëdha. Në një përballje mes analistësh, opozitarësh dhe qeveritarësh, radio Europa e Lirë tregon qartë ndarjen mes kosovarëve për biznesin me Serbinë. Pavarësisht faktit se marrëveshjet e Brukselit mbeten larg zbatimit të plotë, megjithatë dialogu teknik tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme për shtetin tonë, si në përmirësimin e jetës së qytetarëve, ashtu edhe në avancimin e integrimit europian, vlerësoi Tahiri. Nisur nga këto vlerësime të kryenegociatores Edita Tahiri, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, mendon se vlerësime të tilla të qeverisë dhe zyrtarëve të saj janë për keqardhje. Është për të ardhur keq kur dëgjon deklarata të tilla, sepse e vetmja palë në këto bisedime, që janë bisedime Prishtinë-Beograd e jo Kosovë- Serbi, e cila nuk ka përfituar asgjë, përkundrazi ka pësuar në disa rrafshe, është Kosova, thotë Hyseni. Përfitimi i vetëm nga dialogu me Serbinë për Kosovën mund të jetë fakti që pala kosovare është treguar konstruktive para bashkësisë ndërkombëtare, thotë në anën tjetër analisti politik, Ardian Arifaj. Ndërkaq, në rrafshet e tjera, ai nuk sheh ndonjë përfitim, siç pretendon qeveria aktuale. I tërë procesi ka qenë negativ, sepse Kosova ka humbur më shumë sesa ka fituar. Ka humbur, sepse ka hapur derën e bisedimeve pa qenë e gatshme për bisedime. Dhe, çka është më e rëndësishme, ia ka hapur derën rrezikut që tash bisedimet, temat të zgjerohen më shumë dhe të përfshihen aty tema që nuk e kanë vendin e vet në këtë dialog, thekson Arifaj. Bisedimet Prishtinë- Beograd të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian kanë filluar në mars të vitit të kaluar dhe kanë prodhuar shtatë konkluzione në formë marrëveshjesh, por të panënshkruara nga palët. Nga këto konkluzione, sipas qeverisë së Kosovës, pala serbe po zbaton vetëm atë të tregtisë dhe lëvizjes së lirë, ndërsa ka ngecje totale në zbatimin e gjashtë marrëveshjeve tjera.