E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje mes ushtrisë dhe banorëve maqedonas

Ka disa ditë që gjendja në disa fshatra të zonës së Lerinit në Maqedoninë e Egjeut, që banohet kryesisht nga banorë maqedonas, është tensionuar së tepërmi, pasi njësi të ushtrisë greke janë stacionuar dhe po zhvillojnë manovra luftarake pranë tyre, ndërsa nuk kanë munguar përplasjet mes tyre e banorëve lokalë, duke shkaktuar të plagosur dhe të arrestuar mes maqedonasve. Megjithëse para afro 10 ditësh, njësi të ushtrisë greke, pas protestave të banorëve lokalë, u larguan nga një kamp provizor që kishin ngritur pranë fshatit Zabrdeni të Lerinit, trupat ushtarake greke u kthyen përsëri në këtë zonë, kësaj radhe të shoqëruar edhe me mjete të mekanizuara dhe forca policore të konsiderueshme. Meqë banorët lokalë maqedonas u përpoqen t‘i ndalonin këto trupa të zhvillonin manovra luftarake fare pranë fshatit, forcat policore greke plagosën një fshatar maqedonas dhe arrestuan disa të tjerë.

Sikurse bëhet e ditur, banorë maqedonë nga fshatrat Zabrdeni dhe Ovçarani po qendrojnë tani në shenjë proteste para kampit të ngritur të ushtrisë greke. "Po qendrojmë para zinxhireve të tankeve, jemi shtrirë poshtë tyre, njerëzit nuk duan që ushtria greke të bëjë stërfvitje me armë të rënda pranë fshatrave tona, ka rreth 200 policë, madje kanë ardhur edhe forca speciale. Fshati ynë banohet nga maqedonë, prandaj edhe quhet Zabrdeni", tha një banor i këtij fshati të zonës së Lerinit. Mbas një incidenti që ndodhi para 10 ditësh, autoritetet e fshatrave maqedone të zones në fjalë i kërkuan komandës së ushtrisë që t‘i ndërpriste manovrat ushtarake pranë fshatrave të tyre, pasi ato (manovrat) po u shkatëronin tokat e mbjella e kullotat dhe po u ndotnin ambientin, duke bërë qitje me armë luftarake pranë vendbanimeve. Por, kërkesa e banorëve të fshatrave maqedonë ra në vesh të shurdhër dhe ushtria dërgoi përsëri njësi të saj, kësaj here të shoqëruara me teknikë të rendë luftarake dhe forca të policisë speciale. Për këto veprime luftarake pranë vendbanimeve të tyre, sikurse bëjnë të ditur autoritetet vendëse, nuk ishin njoftuar as ato dhe as deputetët e zonës që kërkuan javën e kaluar në parlamentin grek ndërprerjen e manovrave të ushtrisë greke që kane shqetësuar në shkallë të lartë popullsinë vendëse maqedone.

Situata e tensionuar e krijuar në Lerin të Maqedonisë Egjeut ka ngjallur shqetësime të mëdha midis opinionit publik në Maqedoni dhe, në këto kushte, Ministria e Brendshme maqedone ka forcuar këto ditë rrethimin policor para konsullatës greke në Shkup, ndërkohë që kryeministri maqedon Nikolla Gruevski ka njoftuar Brukselin zyrtar për zhvillimet shqetësuese ne Greqinë e Veriut. Përgatiti:


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›