Mjaft skematik shtypi!
Para vitit 90 asnjë shkrim për Nënë Terezën nuk njihet nga shtypi i kohës. Vetëm me vizitën e dytë të saj, më 90-n, për Nënë Terezën nis intensifikimi i shkrimeve, dhënia e portretit dhe veprimtarisë së saj përmes medias. Këtë kronologji kemi arritur ta nxjerrim për herë të parë - si amplitudë ndjeshmërie për misionaren shqiptare, ndërkohë që gjithë bota e nderonte, deri në kulmimin e Nobelit - përmes bibliografisë së botuar për Nënë Terezën, përgatitur nga ish-studiuesja e Muzeut Historik Kombëtar, Liljana Verdho. Ajo tregon se si shtypi në fillimet e tij e njoftonte këtë figurë në mënyrë skematike, madje thotë se ende nuk përcillet aq gjallë sa çishte veprimtaria e saj bamirëse.
Nga të gjitha mediat që keni vëzhguar, çfarë ju ka rënë në sy në raport me shkrimet e Nënë Terezës? Si është trajtuar ajo? Si ka arritur të merret simbolika e saj?
Së pari dua të them se Nënë Tereza tek ne, në shtypin shqiptar, i ka botimet e saj vonë. Në qoftë se në shtypin botëror shkrimet që janë bërë për të, numërohen me mijëra, ne kemi filluar shumë vonë ta pasqyrojmë veprimtarinë e saj dhe se kush ishte ajo. Megjithatë, figura e saj, shkrimet e saj të para i ka në vitin 1989, të cilat fillojnë me njoftimet në shtypin e kohës, të dhëna nga ATSH.
Si ka qenë ky njoftim i parë për Nënë Terezën? Si është dhënë ky informacion?
Njoftimi i parë ka qenë tejet zyrtar nga agjencia telegrafike e lajmeve, se Nënë Tereza erdhi për një vizitë private në Shqipëri. Ishte siç i japin këto lloj agjencish, ishte pra një njoftim në mënyrë telegrafike ku vetëm njoftohej ardhja e saj. Vetëm kaq. Por shkrimi i parë për Nënë Terezën është më 29 gusht 1990 në gazetën Bashkimi nga gazetari Petro Dhimitri.
Ky mbahet si shkrim i parë i plotë?
Po, ky shënon shkrimin e parë të plotë, mbas njoftimit të bërë nga agjencia telegrafike e lajmeve, në gusht të 89-s, kur vetëm një vit më pas, më 90, vjen portreti i qartë. Më pas është botuar nga një revistë e dytë, e cila dilte në atë periudhë, që quhej Ylli, po në vitin, nga zoti Luan Rama. Ky shkruan një artikull mbi humanizmin e Nënë Terezës. Ndërsa si përkthyese e parë e veprës së Nënë Terezës shënohet përkthyesja e njohur Donika Omari.
Në cilat vite nisin kërkimet bibliografike që ju keni përfshirë në librin e parë bibliografik për Nënë Terezën?
Hartimi i kësaj bibliografie i ka fillesat e saj në vitin 1997, mbas hulumtimeve të shkruara për të, më ngjalli një ndjenjë e veçantë për këtë figurë të madhe. Sidomos në një libër të Dom Lush Gjergjit, për të cilin mund të themi se është autori më i plotë dhe më i saktë për Nënë Terezën, që botonte jashtë kufijve të Shqipërisë.
Në punën tuaj hulumtuese, për përcjelljen e figurës së Nënë Terezës në shtypin shqiptar, a keni ndeshur me shkrime rreth saj në diktaturë qoftë dhe në fshehtësi?
Në Shqipëri nuk është shkruar dhe nuk është folur asnjëherë për këtë figurë të madhe. As në fshehtësi nuk është zbuluar ndonjë material. Madje as për çmimin Nobel shqiptarët deri më 90-n nuk e kanë ditur. Vetëm pas vitit 89, siç thashë më lart, njihet njoftimi i parë telegrafik për të, dhe më 90 shënohet shkrimi i parë.
Po intensitetin më të madh, që ju e quani hapje porte, në lidhje me njohjen e Nënë Terezës, në cilat vite shënohet përmes shtypit?
Kur ajo erdhi në Shqipëri për herë të dytë. Qeveria e asaj kohe vendosi që të bëhej, në 90-vjetorin e lindjes së saj, një ceremoni e madhe, kur erdhi edhe Papa Gjon Pali i Dytë. U organizuan ekspozita e dolën botime ku kanë shkruar autorë shqiptarë për të. Ndërsa për herë të parë u bë edhe bibliografia e Nënë Terezës, që u përfshi në projektin e kremtimit të shenjtërimit të Nënë Terezës nga Vatikani, në vitin 2003. Më pas qeveria vendosi që dita e lindjes së Nënë Terezës të jetë një ditë kombëtare.
Si del figura e Nënë Terezës përmes shtypit? A mendoni se është marrë e plotë deri tani simbolika e Nënë Terezës, duke iu referuar punës me bibliografinë?
Në fillim shkrimet e para ishin skematike, sepse dukej që nuk kishte shumë burime njohje për të, qoftë libra, por dhe nga mediat. Pastaj njohja për të vjen duke u thelluar, po ashtu dhe artikujt janë të mbushur, më me shumë informacion mbi jetën dhe veprimtarinë e saj. Po sado që të shkruajnë autorët për të, mendoj se vepra e saj është e paarritshme. Pas viteve 90, ajo çfarë është pasqyruar edhe në bibliografi ka të bëjë me një lëndë materiale me rreth 1200 njësi bibliografike, nga të cilat 114 libra të botuar për Nënë Terezën dhe 27 libra janë me autorësi të Nënë Terezës. Rreth 970 artikuj numërohen në këtë bibliografi ku autorët që shkruajnë për të janë 430 autorë, nga këta 90 janë të huaj. Për të nxjerrë këtë lëndë bibliografike janë shfrytëzuar 99 tituj të periodikut të përfshirë në këtë material. Pra, lënda është shumë e gjerë, ku përfshihet vepra dhe aktiviteti i saj dhe qëllimi i kësaj bibliografie, ku të gjitha këto materiale të përfshihen në një dhe të bëhej si një çelës për studimin e kësaj figure më tej. Kjo është një punë e pambyllur, pasi shkrime mbi të vazhdojnë të shkruhen edhe sot, e cila bën të mundur që numri i artikujve i shkrimeve, të intensifikohet.
Përmes leximit mbi jetën e saj, ne arrijmë ta duam dhe ti afrohemi kësaj figure, se jo të gjithë mund ta kuptojnë atë, pasi e analizojnë si një person klerik, të fesë. Mirëpo duke qenë një person i fesë, për këtë u kritikua në kohën e socializmit, ndërkohë që ajo është njeri në radhë të parë, që shpreh dashuri dhe me anë të dashurisë së Zotit, bën të mundur që të ndihmojë njerëzit, shoqërinë. Ajo për ngjarjet e 97-s ka folur direkt për shqiptarët, duke iu kundërvënë edhe shkrimeve që hedhin dyshime mbi prejardhjen e saj, ku vetë deklaron, pohon: Unë jam shqiptare! Ajo ne na ka nderuar, tani na mbetet neve për detyrë ta nderojmë.