E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjedisi, problem vjelja e gjobave

Në katër muajt e parë të vitit mbi 40 subjekte inertesh janë gjobitur me 60 milionë lekë për shkatërrim të shtretërve të lumenjve. Por, asnjë lek nuk është vjelë nga këto gjoba dhe kompanitë vazhdojnë sërish punën të pashqetësuara. Drejtori Juridik i Ministrisë së Mjedisit, Alfred Deshati, sqaron se këto gjoba nuk janë vjelë, pasi ligji u ofron mundësi subjekteve ti ankimojnë këto çështje në gjykatë. Problemi i vjeljes së gjobave është shqetësues. Zgjidhja vjen vetëm nëse gjoba do të jetë titull ekzekutiv, - theksoi Deshati. Brenda këtij viti, Ministria e Mjedisit do të ndryshojë këtë ligj dhe do të kërkojë që të jetë Përmbarimi, organi që do të merret me ekzekutimin e gjobave. Ne kemi vendosur penalitete, por puna ka vazhduar normalisht. Atëherë duhet të merren masa jo vetëm duke u hequr kompanive lejen mjedisore, por edhe heqjen e licencës së shfrytëzimit. Duhet bashkëpunim ndërinstitucional për të arritur qëllimin e duhur, - u shpreh Deshati. Shtretërit e disa lumenjve në vend janë shfrytëzuar pa asnjë kriter, duke ndryshuar edhe rrjedhën e ujit, çka ka ndikuar edhe në përmbytjen e shumë zonave në vend dhe Shkodra është një nga shembujt me konkretë. Ministria e Mjedisit ka gjobitur me 300 mijë deri në 2 milionë lekë këto subjekte, të cilat jo vetëm nuk kanë paguar gjobën, por kanë vijuar punën normalisht.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›