Mjegull në Vëllaznim
Vëllaznimi është ekipi më i vonshëm, në të gjitha aspektet, ndër skuadrat e Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, më pak se një muaj pa filluar edicioni i ri. Skuadra gjakovare i ka nisur e fundit përgatitjet, të shtunën që shkoi, ndërsa nuk e di ende se kush do ta udhëheqë kryesinë, kush do ta udhëheqë ekipin dhe me cilët lojtarë do të ndërtohet skuadra.
Menaxheri i Kuqezinjve, Ahmet Morina, thotë se hapi i parë do të jetë zgjedhja e kryetarit të klubit e më pas të bëhen hapat tjerë. “Shumë shpejt do të mblidhemi për ta zgjedhur kryesinë e re dhe kryetarin. Pastaj do t’i marrim hapat tjerë”, ka thënë Morina për Express.
Aktualisht ekipin në përgatitje po e drejtojnë Luan Tabaku e Fatos Brahushi, që ishin ndihmës të Ajet Shoshollit sezonin e kaluar. Morina nuk e di sigurt nëse ata do ta udhëheqin ekipin gjakovar gjatë sezonit, por që për këtë thotë se do të vendoset pas zgjedhjes së kryesisë. “Nuk e di, mund të jenë krejt kohën aty. Por, do të vendosim kur të emërohet kryesia”, shtoi ai.
As për lojtarë, Morina s‘ka haber se çka do të bëhet. Sipas tij, pasi të emërohet kryesia, do të zbardhet lista e futbollistëve që do t’i mbrojnë ngjyrat e Vëllaznimit edhe sezonin tjetër.
“Njëherë për njëherë nuk ka asgjë të re rreth përforcimeve. Kur të zgjidhet kryesia, do të vendosim se cilët lojtarë t’i mbajmë e cilët t’i lirojmë. E më pas edhe për përforcimet eventuale”, vazhdoi Morina, dikur futbollist i klubit gjakovar.
Pas largimit të kryetarit Afrim Këpuska, punët në Vëllaznim nuk kanë shkuar si duhet. E ardhmja e klubit është në duart e Komunës së Gjakovës, e cila në vitet e kaluara ka gjetur zgjidhje për ekipin kuqezi.