Prishtina, përforcim nga Nurnbergu

Kampioni i Kosovës, Prishtina i ka përforcuar radhët e veta me një lojtar shqiptar nga Gjermania. Bëhet fjalë për Leondrit Marajn, i cili arrin nga ekipi U-19 i Nurnbergut. Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i klubit bardh e kaltër, Afrim Muçiqi.
“Leondriti vjen nga Nurnbergu dhe sezonin e ardhshëm do t’i mbrojë ngjyrat e Prishtinës. Ka nënshkruar me ne kontratë dyvjeçare. Ky njëherësh e mbyll kapitullin e përforcimeve tek ne”, ka thënë Muçiqi për Express.
Maraj është 19 vjeç dhe luan në repartin defanziv. Atë e ka pëlqyer trajneri i ri i ekipit Ejup Mehmeti, i cili ua kërkoi drejtuesve të klubit, të cilët e dëgjuan atë dhe e sollën në kryeqytet. Njëherësh, Muçiqi njoftoi se shumë shpejt Prishtina do ta mbajë një konferencë për shtyp, kur do të njoftojë më hollësisht për përforcimet, largimet dhe më të rejat nga kampioni aktual i Kosovës.