Mjekësia Ligjore: Denis Alimadhi ka pësuar tetë arreste kardiake
Vogëlushi Denis Alimadhi ka gjetur vdekjen si pasojë e tetë arresteve kardiake që ka pësuar gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në qepallat e syve. Kështu thuhet në raportin paraprak të Mjekësisë Ligjore për vdekjen e 11-vjeçarit Denis Almadhi, i cili humbi jetën në sallën e operacionit gjatë një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin francez në QSUT.
Pas disa ditësh pritet të publikohet edhe raporti përfundimtar i analizave të fëmijës, ndërkohë që familjarëve u është dorëzuar edhe skeda e vdekjes ku sqarohet se vdekja e të miturit ka ardhur nga një aksident mjekësor pas komplikacioneve të shfaqura gjatë operacionit nga hipertermia malinje.
Denis Almadhi, humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës, teksa po kryente një operacion estetik në qepallat e syve. Fëmija kishte anomali të lindura dhe u ishte nënshtruar edhe dy ndërhyrjeve estetike të mëparshme. Vogëlushi nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim përpara se të futej në sallën e operacionit, por sipas mjekëve pas injektimit të anestezisë i janë shfaqur komplikacione. Temperatura e tij trupore është rritur deri në 43 gradë celsius dhe ai ka pësuar disa arreste kardiake njëra pas tjetrës. Familjarët janë njoftuar disa orë më vonë për humbjen e djalit. Ata kanë denoncuar në polici ngjarjen dhe akuzojnë se djali ka humbur jetën nga neglizhenca e mjekëve ose nga mbidoza e anestezisë.
12 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Mjekësia Ligjore: Denis Alimadhi ka pësuar tetë arreste kardiake burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip