E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekësia Ligjore, Griselda: Përdora jastëk të posaçëm

Tiranë- Raporti mjeko-ligjor për Griselda Zaimin i vuri vulën hendekut që ekzistonte mes dëshmisë thriller të 28-vjeçares dhe verifikimeve në terren të agjentëve të policisë. “Nga ekzaminimi i kryer rezulton se 28-vjeçarja Griselda Zaimi nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë”, - thuhet në raportin mjeko-ligjor, që ka mbërritur dje në institucionet e hetimit. Ekspertiza e planifikuar për mbrëmjen e së mërkurës është realizuar paraditen e djeshme, në mjediset e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Griselda është paraqitur aty e shoqëruar nga një psikologe dhe i është nënshtruar analizave të specializuara të mjekëve ligjorë, të cilët janë habitur kur kanë vërejtur se nuk kishte asnjë gjurmë shtatzënie, as në kohët e fundit e as më parë në mitrën e saj. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Griselda është pyetur nga mjekët ligjorë sesi është e mundur të ketë stimuluar për 9 muaj një shtatzëni që nuk ka ekzistuar asnjëherë. Vajza është përgjigjur se e kishte bërë me ndihmën e një jastëku të posaçëm, rrëfim të cilin më pas e kishte tërhequr, duke pohuar se barku i ishte rritur me të vërtetë. Misteri i këtij thrilleri që shokoi gjithë opinionin publik u davarit më tej nga një vizitë mjekësore e dytë ndaj Griselda Zaimit, në spitalin gjinekologjik në Tiranë. Sipas burimeve, por edhe rrëfimit të vetë 28-vjeçares, kjo e fundit kishte pohuar se prej kohësh e dinte se ishte sterile, pra nuk mund të mbetej shtatzënë. Sipas psikologëve që kanë ndjekur përgjatë dy ditëve rastin e Griseldës, ka qenë kjo një pjesë e mirë e motivit që e shtyu atë të simulonte shtatzëninë, së bashku me nevojën për të mbajtur afër partnerin e saj Elvis Roshi, pas marrëdhënieve jo fort të mira me të. Raporti mjeko-ligjor i Griselda Zaimit i ka shkuar dje Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila e ka përfshirë në dosje, së bashku me dëshmitë e tjera, në një hetim të përfunduar brenda dy ditësh për një histori tronditëse pa asnjë fajtor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›