E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët e kualifikuar, çdo 3 muaj, bonus prej 5% mbi pagën



Duke filluar nga viti tjetër, mjekët e kualifikuar përmes trajnimeve dhe ata që kanë arritur të realizojnë kreditet e përcaktuara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim do të përfitojnë një bonus prej 5% mbi pagën që shpërndahet çdo 3 muaj. Gjatë 2010-s mjekët duhet të arrijnë 10 kredite dhe ky numër do të rritet çdo vit me nga 10 kredite derisa në vitin 2014 do të bëhen 50 kredite.

Bonusi

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, tha se matja çdo 3 muaj e këtij indikatori për përfitimin e bonusit nga qendrat shëndetësore, duke filluar nga viti 2010, do të bëhet duke marrë për bazë kreditet e përcaktuara tashmë nga Qendra Kombëtare e Edukimit të Vazhdueshëm. “Nga ana jonë po përgatiten kontratat e reja, në të cilat do të përfshihen pikavarezhet që jepen nga Qendra e Edukimit në Vazhdim për mjekët dhe për qendrat shëndetësore. Plotësimi i këtyre krediteve do të merret parasysh dhe për të gjithë mjekët e qendrave shëndetësore që e kanë kryer edukimin në vazhdim, do të jepet financimi përkatës, që në kontratat e vitit 2010”, - tha drejtoresha. Më tej, Hana sqaroi se ISKSH do të paguajë bonusin prej 5% që jepet për qendrat shëndetësore. Nga ky bonus 10 pikë janë përcaktuar për trajnimet dhe ai do të jepet për të gjitha qendrat shëndetësore në bazë të realizimeve përkatëse nga ana e vetë mjekëve.

Certifikimi

Ndërsa ministri i Shëndetësisë tha se nga janari i 2010-s të gjithë mjekët, farmacistët dhe dentistët do të regjistrohen në programin e ricertifikimit dhe do të kenë detyrimin për të përmbushur kërkesat e tij. Kësaj i mëshoi akoma më shumë kreu i shëndetësisë, i cili deklaroi: “Nisja është e barabartë për të gjithë, rregullat janë të barabarta për të gjithë dhe vullneti e dëshira e gjithsecilit do të bëjë diferencën në fund të kësaj gare”. Sipas tij, në këtë pikë nuk do të ketë tolerancë, sepse faturën e mungesës së profesionalizimit e paguan i gjithë sistemi shëndetësor shqiptar.

Për këtë është ngritur Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, e cila ka realizuar dhe do të zbatojë sistemin e akreditimit të aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm dhe atë të ricertifikimit të profesionistëve. Ministria ka miratuar tashmë kuadrin rregullator që përcakton kriteret mbi të cilat do të bëhet ricertifikimi i mjekëve, dentistëve dhe farmacistëve.

Në bashkëpunim me institucione të tjera, si Urdhrat e Profesionistëve, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Infermierisë, ISKSH, Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve si dhe shoqatat e profesionistëve, janë përcaktuar edhe sanksionet në rast moszbatimi të kërkesave të programit të ricertifikimit.

Bashkia e Tiranës

Përgatit çmimet e 10 personaliteteve të vitit

Nga 10 dhjetori, të gjithë qytetarët mund të sugjerojnë personat që ata mendojnë se mund të jenë një nga 10 personalitetet e vitit. Belinda Balluku, këshilltare për median në Bashkinë e Tiranës, thotë: “Kemi zgjedhur mënyrën elektronike që është ajo me anë të email-eve, duke dërguar një email në adresën 10personalitetet@tirana.gov.al ose duke dërguar një letër në adresën e Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që qytetarët mund të vijnë direkt këtu, pranë zyrës së Informimit Qytetar, duke sjellë sugjerimet e tyre.

Mënyra e përzgjedhjes është e njëjtë me vitet e kaluara, mjafton që qytetarët të justifikojnë pse kanë zgjedhur personin në fjalë dhe këtu flitet për njerëz të njohur, pra nga fusha e artit, kulturës, politikës, sportit, por dhe njerëz (kjo është e veçanta e konkursit tonë) totalisht të panjohur, qytetarë të cilët kanë ofruar diçka për Tiranën, dikush që ka bërë një lulishte, një mësuese e dalluar, një edukatore që rrit breza të tërë fëmijësh apo qoftë dhe një qytetar tjetër i cili ka bërë një veprim dhe njihet në lagjen e tij apo në punën ku ai kryen aktivitetin e tij dhe që meriton të jetë një nga 10 personalitetet”.

Kështu, duke filluar nga data e sotme e deri më 20 dhjetor, të gjithë kanë mundësi që të votojnë dhe të sugjerojnë emrat e 10 personaliteteve të vitit. Më pas, më datë 20 dhjetor, një juri e përbërë nga 5 persona, të cilët do të bëhen të ditur disa ditë më vonë, do të vendosin se cilët janë këto personalitete. Ndërkohë, më datë 23 dhjetor, në orën 18:00 pasdite, në një nga sallat e hotel “Tiranës” zhvillohet mbrëmja gala, për të shpërndarë çmimet e për të bërë të ditur publikisht se cilat janë personalitetet e këtij viti.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›