Holanda, 2 milionë euro për iniciativën “Një OKB” në Shqipëri
Holanda deklaroi dje financimin e saj shtesë prej 2 milionë eurosh për tre vitet e ardhshme, në mbështetje të përpjekjeve për reformë të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Ky kontribut i tretë i Holandës për programin “Një OKB” është pjesë e një marrëveshjeje globale që gjithashtu mbështet 7 vendet e tjera pilote përreth globit. Ky kontribut e çon mbështetjen për Shqipërinë në një total prej 3.3 milionë eurosh, duke e bërë qeverinë holandeze një nga donatorët më të mëdhenj të programit “Një OKB” deri më tani. Marrëveshja u nënshkrua nga koordinatorja e OKB-së në Shqipëri, znj. Gulden Turkoz-Cosslett dhe z. Jeroen Steeghs, ministër i Plotfuqishëm i Misionit të Holandës në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Ambasadori holandez në Shqipëri, Henk G.C. van den Dool, lavdëroi progresin e bërë deri më tani nga programi “Një OKB” dhe theksoi më tej: “Holanda është e përkushtuar ndaj reformës së OKB-së dhe mbështet programin efikas të ndihmës, globalisht dhe në Shqipëri. Ne jemi të bindur se përmes kësaj iniciative, OKB-ja do të jetë një aktore më e dobishme, relevante dhe efikase”. Kontributi i Holandës i shpërndahet Fondit të Koherencës së OKB-së, në mbështetje të prioriteteve kombëtare brenda programit “Një OKB”. Kombet e Bashkuara, në partneritet të ngushtë me qeverinë kanë punuar së bashku, duke bashkuar pikat e forta dhe ekspertizën e 14 agjencive të OKB-së, për të rritur efikasitetin e programeve të veta dhe për të ndihmuar vendin të përshpejtojë progresin drejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe integrimit në Bashkimin Evropian. “Principet e programit “Një OKB”, një lider, një buxhet dhe një program kanë bërë të mundur që OKB-ja të punojë në mënyrë më koherente me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Gjithashtu, ka kontribuar në rritjen e lidershipit kombëtar të punës së OKB-së në vend, në mbështetje të prioriteteve të Shqipërisë për integrimin në BE, duke siguruar ndërkohë përdorimin më efikas të asistencës për zhvillim”, - tha koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, znj. Gulden Turkoz-Cosslett. Programi “Një OKB” ka për qëllim të rrisë impaktin e programeve të OKB-së në pesë fusha kryesore: qeveri më transparente dhe më e përgjegjshme; pjesëmarrje më gjithëpërfshirëse në politikat publike dhe vendimmarrje; akses më i gjerë dhe më i paanshëm në shërbimet e nevojës së parë, zhvillim rajonal për të reduktuar pabarazitë dhe zhvillim i qëndrueshëm mjedisor. Aktualisht po zbatohen shtatë programe të përbashkëta. Në fushën e Zhvillimit të Qëndrueshëm Mjedisor, asistenca e përbashkët e OKB-së u fokusua në përgatitjen e komunikimit të dytë kombëtar të Shqipërisë mbi ndryshimet klimatike, i cili do të paraqitet në Konferencën e Kopenhagenit së bashku me Dokumentin e Politikave për Financimet për Karbonin; zbatimi i masave adaptuese në deltat e lumenjve Drin, Mat, zbatimi i Planeve Mjedisore për Parkun e Prespës si dhe finalizimi i inventarit të pikave të nxehta mjedisore.
Agjencitë e OKB-së gjithashtu kanë bashkuar ekspertizën dhe aftësitë e tyre për të mbështetur të drejtat e romëve përmes një programi që ka për qëllim fuqizimin e komuniteteve në nevojë. Falë kësaj ndërhyrjeje, anëtarët e komunitetit rom kanë përfituar nga regjistrimi civil, duke i siguruar atyre mundësi për të qenë pjesë e skemës për asistencë sociale, si dhe të përfitojnë nga programet për trajnime profesionale, ku në objektiv ka qenë ky komunitet. Programi i përbashkët i OKB-së për “Të rinjtë, punësimin dhe migrimin” po siguron më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe strategji kombëtare më të mirëdrejtuara ndaj të rinjve, punësimit dhe migrimit. Programi ka për objektiv punonjësit e rinj në rajonet e Shkodrës dhe Kukësit, që janë mjaft të prekura nga punësimi informal dhe migrimi i të rinjve. Qeveria holandeze është një nga donatoret e Fondit të Koherencës së OKB-së. Programi “Një OKB” ka përfituar nga mbështetja e Komisionit Evropian, Mbretërisë së Spanjës, Zvicrës, Austrisë, Suedisë dhe Norvegjisë.