E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët me master, qeveria nuk mbajti premtimin

Mjekët e poliklinikave të specialiteteve që kanë mbaruar master, pohojnë se nuk kanë marrë rritjen e pagës që u miratua me VKM

Mjekët e Poliklinikës Qendrore të specialiteteve, të cilët kanë mbaruar master, nuk kanë marrë rritjen e pagës që u miratua që në korrik të këtij viti. Kështu, tepër të revoltuar për mjekët pohojnë për gazetën se qeveria po injoron edhe vendimet e veta, pasi rritja e pagës së tyre u bë me VKM në korrik, me masën 10 mijë lekë në muaj. Drejtori i kësaj poliklinike, Përparim Laziraj, shpjegon se vonesat për rritjen e pagës janë për shkak të përgatitjes së dokumentacionit.

Rritja e pagave

Janë mjekë, madje me master, por nuk kanë marrë asgjë deri më sot nga premtimet e qeverisë. Kështu, mjekët specialistë pohojnë se Vendimi i Këshillit të Ministrave jo vetëm që ende nuk është zbatuar, por ende nuk kanëndonjë përgjigje se kur do ta marrin këtë shtesë page. “Në shtator na e dhanë shtesën e pagës, por na e ndërprenë përsëri. Madje, këtë shesë page na e mbajtën nga rroga e tetorit. Kjo është absurde të tallen me ne, sepse jemi mjekë dhe masterat i kemi bërë në institucione publike”, -pohon njëra nga mjeket e Poliklinikës Qendrore të Specialiteteve, duke shtuar se kjo shtesë page do të ndikonte shumë mbi të ardhurat e tyre ekonomike, pasi rrogat i kanë tepër të vogla. Ndërkohë, mjekët pohojnë se i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet për të përfituar rritjen e pagës nga masteri, por Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor u ka kërkuar të bëjnë dokumentacione të tjera. “Nuk arrijmë ta kuptojmë përse na bëhen këto sorollatje. Jemi mjekë dhe kërkojmë vlerësime dhe respekt, sepse me pafytyrësinë më të madhe, është kjo qeveri që del dhe deklaron se jemi ne të korruptuarit, ndërkohë që nuk merret mundimi që të zbatohen as vendimet që nxjerr vetë”,- pohojnë mjekët e poliklinikave.

Drejtori

Drejtori i Poliklinikës Qendrore të Specialiteteve, Përparim Laziraj, pohon se është e vërteta që mjekët ende nuk e kanë marrë shtesën e pagës që u vendos me Vendim të Këshillit të Ministrave, por kjo vetëm për çështje teknike. “Sigurisht që mjekët me master do e marrin këtë shtesë page, madje duke filluar që nga muaji korrik. Problemi qëndron tek çështja e dokumentacioneve, të cilat duhet të ridorëzohen edhe një herë në ISKSH”,- pohon Laziraj, duke shtuar se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt.

100 mijë lek do të përfitonin rritje page mjekët e parësorit që kanë master sipas VKM-së

6 muaj më parë duhej të merrnin mjekët e parësori rritjen e pagave për masterat që kanë mbaruar sipas VKM-së

Mjekët e QSUT-së të cilët kanë mbaruar master brenda dhe jashtë vendit, ankohen se nuk kanë marrë shtesën e pagës që u miratua 1 vit më parë

Mjekëte QSUT-së: Nuk u zbatua vendimi për pagesat

Mjekët të cilët kanë mbaruar shkollë pasuniversitare nuk kanë marrë shumën prej 10 mijë deri në 20 mijë lekë në muaj që u premtua nga Qeveria. Kështu këtë premtim i cili nuk është mbajtur po e vuajnë edhe bluzat e bardha në Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërsa burime pranë QSUT-së pohojnë se shqetësimi i mjekëve është i drejtë, por sipas tyre, është Ministria e Financave që duhet të japë fonde për t’u dhënë shtesën këtyre mjekëve.

Ankesat e mjekëve

Ndonëse ka qenë vendim qeverie i miratuar rreth 1 vit më parë, ende nuk kanë mundur të shijojnë pagesën prej 10-20 mijë lekësh (të reja) në muaj siç ishte premtimi, i cili u anoncua nga vetë kreu i qeverisë, Sali Berisha. Të ndodhur përballë këtij fakti, mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të zhgënjyer ndaj moszbatimit të vendimit të qeverisë i janë drejtuar Drejtorisë së spitalit të tyre, për të marrë ndonjë përgjigje. “Vetë kryeministri Berisha para 1 viti e gjysmë premtoi se mjekët me shkollë pasuniversitare do të merrnim 10 deri në 20 mijë lekë më shumë në pagë, por deri më sot pagës tonë nuk i është shtuar as edhe një qindarkë më shumë”,- pohon njëri nga mjekët e QSUT-së duke shtuar se ky është një nënvleftësim që iu bëhet bluzave të bardha dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për mjekë specialistë. Sipas tyre, mjekët që kanë baruar studimet pasuniversitare jashtë vendit duhet të marrin një përqindje më të lartë se ata që kanë mbaruar në Shqipëri. Ndërkohë mjekët shpjegojnë se, në bazë të vendimit të qeverisë këtë shumë do ta përfitonin mjekët që nuk janë pedagogë në universitete, pra, ata që nuk marrin një rrogë të dytë në arsim. Gjithashtu, ata pohojnë se shumica e mjekëve në QSUT janë me master ndaj dhe ankesat janë të shumta. “Fundja, ai ishte një vendim qeverie ndaj dhe është serioze që të zbatohet me përpikëri”, - pohojnë mjekët e QSUT-së duke shtuar se duhet të merren masa për zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›