E Diel, 1 Nëntor 2026

"Mjekët operuan gabim kolegun e plagosur"

Vazhdon të thellohet më tej hendeku në shëndetësinë shqiptare. Problemi i shërbimit mjekësor këtë herë ka në qendër një "mjek pacient". Shefi i Kardiokirurgjisë, Ali Refatllari, nuk ka marrë shërbimin e saktë shëndetësor nga kolegët e tij. Faktin e ka bërë publik kolegu i tij, Alfred Priftanji, njëkohësisht dekani i Fakultetit të Mjekësisë. Sipas Priftanjit, kolegu i tij pas agresionit të të afërmit të një pacienti nuk është operuar siç duhet nga kolegët e tij. Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një gabim mjekësor, për një papërgjegjshmëri, apo për diçka të qëllimshme kundrejt mjekut Ali Refatllari. Një nga pistat e dyshimit mund të jetë gabimi mjekësor, ndërsa një tjetër mund t‘ia hedhë përgjegjësinë aftësisë së specialistëve, të cilët e kanë operuar. Më pas, profesor Ali Refatllari ka qenë në Francë për një trajtim më të specializuar. Kolegët francezë mund të kenë referuar gjendjen e saktë të tendinave të dorës së profesorit.

Ky gabim mund t‘i kushtojë shumë dr. Refatllarit, ndoshta edhe heqjen e të drejtës për të kryer ndërhyrje kirurgjikale në të ardhme. Shefi i kardiokirurgjisë njihet si një nga kirurgët më të mirë të zemrës, në mënyrë të veçantë të ndërhyrjes së njohur si "by pas". Edhe sipas statistikave, numri më i lartë i këtyre operacioneve, të cilat u shpëtojnë jetën pacientëve, kryhej nga Refatllari. Dje, në mbledhjen urgjente të Komisionit të Shëndetësisë, profesorët e Fakultetit të Mjekësisë njëkohësisht edhe struktura drejtuese të shërbimeve në spital kanë kërkuar përgjigje nga ministri i Shëndetësisë për sa i takon gjendjes skandaloze të spitaleve, mungesës së medikamenteve, reagjentëve, mungesës së aparaturave diagnostikuese. Një nga përfaqësueset e Komisionit të Shëndetësisë, Rajmonda Stefa, deklaroi se në këtë moment është shumë e rëndësishme të shikohet pjesa e kontrollit të klinikave shëndetësore. Sipas saj, është i nevojshëm edhe shqyrtimi i çështjes së medikamenteve, të cilat nuk mund të sillen nga secili qytetar që pretendon të jetë grosist. "Ilaçet nuk janë domate", tha Stefa. Një pjesë e stafit të profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë i ka kërkuar "llogari" ministrit për të gjitha problemet dhe mënyrën se si funksionon sot shëndetësia. Kanë kërkuar më shumë investime në shëndetësi, ndërsa OJF-të apo institucionet e pavarura si Urdhri i Mjekëve kanë deklaruar se shëndetësia ka fonde, por nuk ka menaxhim dhe nuk dihet se ku dhe si bëhet shpërndarja e këtyre parave.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, i vendosur para presioneve të partisë, por edhe të mjekësisë, është përgjigjur se në këtë moment shëndetësia ka nevojë për investime dhe për strategji.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›