Ndotja, vendosen kushte për kompaninë "Kurum"
Zëvendësministri i Mjedisit, Aleksandër Garuli, dhe kryeinspektori i Inspektoratit të Lartë të Punës, Artan Arapi, kanë inspektuar dje, tri kompanitë industriale "Kurum", "Darfo" dhe "ECF" në zonën industriale të Elbasanit. Qëllimi i inspektimit, si dhe herë të tjera, ishte kontrolli i parametrave të ndotjes për Elbasanin nga kompanitë industriale të huaja. Të shoqëruar edhe nga kryespecialisti i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Beqir Kila, dhe ai i Baseneve, Platon Gani, ekipi inspektues ka këqyrur nga afër avancimin e teknologjisë filtruese në uzinën e çelikut dhe të petëzimit në firmën turke "Kurum". Të gjitha proceset e punës në këtë kompani janë të pajisura me sisteme kontrolluese të kompjuterizuara dhe vizita ka konsistuar më tepër në sallën qendrore të këtij sistemi. Sipas statistikave zyrtare, mësohet se Elbasani ka dalë tashmë nga "harta" e ndotjes, parametrat e së cilës mbeten brenda standardeve evropiane që nga viti i kaluar. "Tashmë ky qytet nuk mund të etiketohet më si etalon i ndotjes në vendin tonë, por kjo nuk do të thotë se do të mungojnë kontrollet e rrepta të organeve shtetërore dhe penalizimet, nëse shkelen ligjet dhe rregullat e shtetit shqiptar", tha zëvendësministri i Mjedisit, Aleksandër Garuli. Për të mos lënë mundësi për abuzime në sistemin e filtrimit, ai u ka kërkuar specialistëve të kompanisë "Kurum" vendosjen e një teknologjie kompjuterike, që të bëjë të mundur pezullimin automatik të punës në rast defekti të sistemit të filtrimit. Përfaqësuesit e kompanisë turke pranuan vendosjen e një sistemi të tillë, por brenda një afati kohor të caktuar. Në përfundim, vetëm 20 ditë kohë janë lënë për vënien në punë të këtij sistemi, ndërsa drejtuesit e "Kurum" kanë dhënë garancinë se një kohë e tillë është e mjaftueshme. Pas "Kurum", grupi i kontrollit ka inspektuar edhe uzinën e ferrokromit "Darfo" dhe fabrikën e çimentos "ECF" për problemet e ndotjes dhe të funksionimit të sistemit të filtrimit.