Vdekja e vajzës, bllokohet certifikata e vdekjes
Prokuroria e Tiranës bllokon në spitalin "Nënë Tereza" certifikatën e vdekjes së 17-vjeçares, Matilda Petriti. Në të shkruhet se shkaku i vdekjes është nga hemorragjia. Në pritje të raportit mjeko-ligjor, organi i akuzës po kryen verifikimet e momentit, duke u ndalur te dëshmitë. Para grupit hetimor kanë dhënë shpjegime mjekët dhe infermieret që kanë asistuar gjatë momentit të operacionit të vajzës, duke u servirur hetuesve të dhëna të dobishme që hedhin dritë mbi mënyrën e veprimit ndaj pacientes nga Korça. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se raporti përfundimtar i ekspertizës mjeko-ligjore mbi vdekjen e 17-vjeçares pritet të dalë pas një jave. Hetues të çështjes kanë marrë informacione nga mjekësia ligjore, të cilët bëjnë me dije se është shpejt për të dhënë përfundime, pasi kampione gjaku të marra nga trupi i vajzës gjatë autopsisë po analizohen me hollësi. Matilda Petriti humbi jetën të dielën, pas një hemorragjie, para se të hynte në sallën kirurgjikale të repartit të Otorino-Laringologjisë në QSUT. Në fillim të këtij muaji adoleshentja i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale (në bajame) në një klinikë private në qytetin e Pogradecit dhe vetëm para dy ditësh kishte mbërritur në Tiranë për një mjekim më të specializuar. Përgjigjja e ekspertizës së Mjekësisë Ligjore do të jetë vendimtare në përcaktimin e shkakut të vdekjes së saj dhe në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Nga të dhënat e administruara në akuzën kryeqytetase nuk ka mjaft prova për të marrë të pandehur mjekun që operoi vajzën.