Studentët e Mjedisit, praktikë pune në ndërmarrjet e ujësjellësve
"Të kursejmë ujin dhe të ruajmë burimet tona ujore", është një nga motot e programit "Miqtë e Ujit". Në këtë kuadër, dje në Ministrinë e Arsimit u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me Shoqatën e Ujësjellësve për mësimin e fëmijëve dhe punësimin veror të studentëve. Kështu, gjatë sezonit veror në çdo ndërmarrje të ujësjellës-kanalizimeve në Tiranë dhe rrethe do të kryhet trajnimi i studentëve të viteve të pesta të Inxhinierisë së Mjedisit. Pjesë e marrëveshjes është edhe edukimi i fëmijëve mbi rëndësinë e burimeve ujore. Nxënësit e disa shkollave në qytetin e Tiranës, Korçës, Shkodrës, Kavajës etj., do të marrin një libërth, për të mësuar më tepër rreth ujit dhe rezervave të tij, si dhe edukimin ndaj kursimit e ruajtjes së ujit. Mësuesit do të fillojnë t‘u shpjegojnë materialin nxënësve bazuar në udhëzuesin për mësuesit, përgatitur nga Shoqata e Ujësjellësve. Programi "Miqtë e Ujit" financohet nga "Union Bank" dhe disa kompani të tjera private. Qëllimi i tij është rritja e ndërgjegjësimit te fëmijët për sa u përket çështjeve të lidhura me ujin, nëpërmjet një metode interesante, duke kombinuar mësimet mbi principet bazë në lidhje me ujin. Ndërsa të diplomuarit në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit do të japin kontribut konkret në menaxhimin e ujësjellësve. Këtë parashikon marrëveshja e nënshkruar mes dy zëvendësministrave të Arsimit, Adriana Gjonaj dhe Halit Shamata, me kryetarin e Shoqatës së Ujësjellësve, Engjëll Gjondrekaj. Studentët praktikantë duhet të zhvillojnë një raport të zgjeruar me shkrim, në të cilën të rekomandojë zgjidhje për problemin e ngritur gjatë kohës së praktikës në Ndërmarrjen e Ujësjellësit, ku do të punojnë gjatë praktikës.