E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët, provim për të mbajtur vendin e punës

07/10/2009  Kategoritë pa kualifikimin dhe njohuritë e duhura do të pezullohen nga puna

Punonjësve të shëndetësisë do të duhet të kalojnë provimin e njohurive për mbajtjen e vendit të punës. Me nënshkrimin e kontratave ndërmjet bluzave të bardha brenda një viti do të bëhet edhe testimi i njohurive specifike të fushës për secilën prej tipologjive të shërbimeve shëndetësore që ofrohen jo vetëm në sistemit spitalore, por dhe në qendrat shëndetësore. Kategoritë që nuk do të arrijnë të kalojnë këtë provë do të pezullohen nga puna, ndërsa vendi i tyre do të mbulohet nga persona të kualifikuar. Lajmi është konfirmuar gjatë ditës së djeshme në tryezën e zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë për diskutimin e projektstrategjisë mbi certifikimin e mjekëve. Sipas ministrit Petrit Vasili, në shumë prej institucioneve tona shëndetësore ka mjekë të paaftë dhe të patrajnuar, kush nuk plotëson kriteret do të largohet nga puna. “Ne sot miratojmë dokumentin. Është ngritur qendra kombëtare e edukimit të vazhduar, pra që i certifikon dhe gjatë gjithë vitit që vjen sipas një programi shtetëror pjesë e kontratës së tyre të punës do të vijojë në mënyrë gjithëvjetore dhe në fund do të jetë pjesa e vlerësimit dhe eventualisht e sanksioneve për ata që nuk plotësojnë jo thjesht programin, por këtë sistem dijesh”, - ka deklaruar ministri.

Provimi

Specialistët e fushës kanë pohuar se pas kontratave me ISKSH-në për sistemin spitalor është e domosdoshme dhe e detyrueshme kualifikimi i stafeve mjekësore. Provimi, i cili mendohet të zhvillohet brenda një vit, pritet të sjellë rishpërndarjen e re të punonjësve në shërbimet shëndetësore. “Ky kualifikim i detyrueshëm do të jetë pjesë e kontratave të punës tashmë në mënyrë ligjore dhe tërë ato që nuk do të plotësojnë këtë pjesë certifikimi të dijeve do të shkohet më tej me ndërprerjen e kontratave dhe hapjen e vendit për mjekët e kualifikuar.” Provimi do të jetë i diferencuar në bazë të kategorive që përbëjnë aktualisht personelin shëndetësor të punësuar në të gjitha rrethet e vendit.

Vlerësimi

Gjithashtu pjesë e kësaj kontrate është pohuar të jetë edhe mënyra se si do të verifikohen dijet e tyre. Për këtë ministri ka sqaruar se “është një sistem vlerësimi kompleks dhe jo vetëm me një element, por që në fund na thotë qartë që ky mjek e ka kualitetin e duhur për të shërbyer apo nuk e ka". Këtij provimi do t’i nënshtrohen mjekët, infermierët, stomatologët, farmacistët, kushdo që punon në sistemin shëndetësor shqiptar. “Do të vlerësohen dijet e tyre, pjesëmarrja në aktivitetet e mëdha shkencore, ajo që performojnë në mënyrë të përditshme. Ndryshe do të jenë kërkesat për ata që shërbejnë në sistemin primar dhe ndryshe për ata që ofrojnë shërbimin në spitalet rajonale dhe në ato qendrore”, - ka përfunduar ministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›