Mjekët zgjedhin oraret për punë sipas preferencave
Emanuela Sako
Mjekët nuk punojnë me orare të plota siç është parashikuar me ligj dhe rregulloren e sistemit të shëndetësisë. Të gjithë punonjësit e shëndetësisë zgjedhin si orare pune intensive sipas interesave të tyre. Ata gjenden në punë vetëm në rastet e operacioneve apo në rastet e urgjencave kur janë mjek roje. Ndërkohë që për të pasur sa më tepër kohë të lirë, oraret e operacioneve për të gjithë pacientët janë të vendosura në orët e para të mesditës dhe kryesisht para orës 11.00 të paradites. Një situatë e tillë është bërë tepër shqetësuese për pacientët, por ankesat e tyre nuk merren asnjëherë parasysh. Madje, në disa raste për arsyet e tyre, mjekët kanë shtyrë oraret e operacioneve. Ndërsa familjarët e pacientëve shpeshherë kanë drejtuar në Drejtoritë e Spitaleve dhe në atë të QSUT-së një sërë ankesash, por edhe në këtë rast nuk janë marrë parasysh. Kjo, pasi mjekët janë gjithmonë të justifikuar.
Oraret
Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar oraret e punës s mjekëve dhe infermierëve për një dite pune, një jave pune, punën me turne etj. Sipas rregullores së Ministrisë së Shëndetësisë kohëzgjatja maksimale e javës së punës në sistemin e shëndetësisë është 40 orë. Ndërsa, pushimi ditor zgjat 12 orë, pa ndërprerje, dhe përfshin intervalin ndërmjet orës 24.00 deri 8.00. Personeli i zënë me punë para orës 8.00 ose pas orës 24.00 do të ketë një pushim ditor, të paktën 12 orë, pa ndërprerje. Në rastin e mjekut të rojës ose të personelit të urgjencës mjekësore do të zbatohen rregullat e përcaktuara me udhëzim të veçantë të Ministrit të Shëndetësisë, sipas rasteve specifike. Rregullorja parashikon se orari i punës në sistemin e shëndetësisë është nga ora 00.00 deri në orën 24.00. Turnet e punës për personelin e lartë, mjekësor dhe jomjekësor, në sistemin e shëndetësisë janë çdo ditë, përjashtuar ditën e shtunë dhe të diel, si më poshtë: turni i parë nga ora 8.00 deri në orën 16.00; turni i dytë nga ora 16.00 deri në orën 24.00; Turni i tretë nga ora 24.00 deri në orën 8.00.
Orët shtesë
Mjekët që punojnë jashtë orarit për arsye të ndryshme, paguhen në bazë të orëve shtesë që ata kanë përmbushur detyrimet. Orët shtesë të punës, të kryera nga personeli mjekësor e jomjekësor, me kërkesën e punëdhënësit, kompensohen me pushim të barabartë në kohë me orët shtesë të punës së kryer, plus 25 për qind më shumë. Për orët shtesë të punës së kryer, që nuk mund të kompensohen me pushim, jepet paga normale dhe një shtesë mbi pagë, sipas rregullave të parashikuara me ligj. Mjekët ushtarakë dhe personeli tjetër i shëndetësisë, që kanë statusin e ushtarakut, nuk përfitojnë trajtim me pagë dhe shtesa mbi pagë, sipas. Ata paguhen me pagë fikse mujore dhe janë përgjegjës për punën e tyre për ato orare dhe pagë që iu është vendosur nga qeveria. Kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar do të jetë jo më pak se 4 javë kalendarike. Në raste të veçanta mjekët përjashtohen nga pagesat, siç janë rastet e zëvendësimeve, të cilat mjekët i vendosin me kompromis ndërmjet tyre.
Pacientët
Vendosja e orareve të pritjes së pacientëve apo vizitave i irritojnë pacientët, për shkak të problemeve të tyre shëndetësore. Jo rrallë herë ata kanë akuzuar mjekët si shkaktar të problemeve të tyre shëndetësore dhe neglizhencës që iu është bërë po nga mjekët. Madje ka ndodhur që pacientët apo të afërmit e tyre të shfaqin shenja agresivitetit ndaj mjekëve, duke i sulmuar dhe akuzuar si shkaktar të humbjes së personave të familjes.
Box
Oraret zyrtare të punës për mjekët
1. Kohëzgjatja maksimale e javës së punës në sistemin e shëndetësisë është 40 orë.
2. Pushimi ditor zgjat 12 orë, pa ndërprerje, dhe përfshin intervalin ndërmjet orës 24.00 deri 8.00. Personeli i zënë me punë para orës 8.00 ose pas orës 24.00 do të ketë një pushim ditor, të paktën 12 orë, pa ndërprerje.
Në rastin e mjekut të rojës ose të personelit të urgjencës mjekësore do të zbatohen rregullat e përcaktuara me udhëzim të veçantë të Ministrit të Shëndetësisë
3. Orari i punës në sistemin e shëndetësisë është nga ora 00.00 deri në orën 24.00.
4. Turnet e punës për personelin e lartë, mjekësor dhe jomjekësor, në sistemin e shëndetësisë janë çdo ditë, përjashtuar ditën e shtunë dhe të diel, si më poshtë vijon:
- Turni i parë nga ora 8.00 deri në orën 16.00;
- Turni i dytë nga ora 16.00 deri në orën 24.00;
- Turni i tretë nga ora 24.00 deri në orën 8.00.
Çdo turn gjatë ditëve të javës, përjashtuar ditën e shtunë dhe të diel, përfshin 30 minuta pushim, të cilat nuk përfshihen në kohën e punës. Në ditën e shtunë turni i parë për personelin e lartë, mjekësor dhe jomjekësor, do të jetë prej orës 9.00 deri në orën 11.30.
Turni i infermiereve
Turnet e punës për personelin infermieror, atë të mesën dhe të ulët, mjekësor dhe jomjekësor, në sistemin e shëndetësisë, janë çdo ditë, si më poshtë vijon:
Turni i parë nga ora 6.00 deri në orën 14.00;
Turni i dytë nga ora 14.00 deri në orën 22.00;
Turni i tretë nga ora 22.00 deri në orën 6.00.
Çdo orë pune e kryer nga ora 19.00 deri në orën 22.00 dhe çdo orë pune e kryer në intervalin 22.00-6.00 paguhet sipas rregullave në ligj.
Puna e kryer ditën e diel ose në ditët e festave zyrtare paguhet me një shtesë, sipas rregullave të parashikuara
Orët shtesë
Orët shtesë të punës, të kryera nga personeli mjekësor e jomjekësor, me kërkesën e punëdhënësit, kompensohen me pushim të barabartë në kohë me orët shtesë të punës së kryer, plus 25 për qind më shumë.
Për orët shtesë të punës së kryer, që nuk mund të kompensohen me pushim, jepet paga normale dhe një shtesë mbi pagë, sipas rregullave të parashikuara me ligj.
Mjekët ushtarakë dhe personeli tjetër i shëndetësisë, që kanë statusin e ushtarakut, nuk përfitojnë trajtim me pagë dhe shtesa mbi pagë, sipas përcaktimeve.
Kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar do të jetë jo më pak se 4 javë kalendarike.
23 Korrik 2008