Përfundon rikonstruksioni i shkollës “Misto Mame”
Rreth 700 nxënës të Njësisë Bashkiake Nr.8 do të mësojnë vitin e ri shkollor në një shkollë bashkëkohore. Rikonstruksioni i shkollës “Misto Mame” ka përfunduar dje. Një tjetër shkollë e standardeve europiane i vihet në dispozicion nxënësve të kësaj njësie bashkiake në kryeqytet. Shkolla “Misto Mame”, e cila gjendet në “Rrugën e Dibrës”, pranë “Medresesë” i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë dhe ka kushtuar rreth 850 mijë euro, falë një kredie të akorduar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës. Në ceremoninë e përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e kësaj shkolle, kryetari i Bashkisë Edi Rama, u shpreh: “Në këtë qytet që për të gjithë shqiptarët është bërë qyteti i së ardhmes, ne po ndërtojmë rrjetin e shkollave të reja të së ardhmes, ku çdo prind mund ta çojë fëmijën, me bindjen së ëndrrat dhe dëshirat e tij më të mëdha për fëmijën janë të mundshme”. Pas prishjes në themel të objektit të vjetër ekzistues, shkolla “Misto Mame” tani gjendet plotësisht e ndryshuar me një arkitekturë të re, në një godinë katër katëshe.
23 Korrik 2008