Restorantet dhe fast-food-et, ne “siten” e specialisteve te ISHP-se
Jonida Tashi
Drejtoria e Shëndetit Publik i ka urdhëruar drejtuesit e restoranteve dhe fast-food-eve që të përmirësojnë kushtet e ofrimit të shërbimeve, në të kundërt ata do të përballen me gjobat. Inspektorët dhe ndihmës-inspektorët sanitarë të Drejtorisë së Shëndetit Publik (DSHP) të Tiranës, në zbatim të Programit për “Stinën e nxehtë ‘08”, kanë ushtruar kontrolle në subjektet e ushqimit social, kryesisht restorante dhe fast-food. Burime nga DSHP-ja, bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve në disa subjekte janë lënë proces-verbale me detyra dhe afate për përmirësime të kushteve higjienë-sanitare në objekte, ndërkohë që analizat bakterologjike të ushqimeve kanë rezultuar “të pastra bakterologjikisht” dhe të lejueshme për konsum. Gjithashtu, DSHP-ja ka kryer një sërë kontrollesh edhe në disa linja të prodhimit të pijeve freskuese. Sipas burimeve, gjatë kontrolleve të ushtruara janë marrë 18 mostra pijesh freskuese dhe birre, të cilat kanë rezultuar pa probleme higjienë-sanitare.
Leja
Në zbatim të ligjit “Për shëndetin publik dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror” (i ndryshuar) dhe të Rregullores Higjienë-Sanitare të Ministrisë së Shëndetësisë “Për sektorin e ushqimit social”, të gjithë restorantet dhe objektet e tjerë të “Ushqimit social” (mensa-fast/food-byrektore etj), para fillimit të aktivitetit pajisen me leje higjienë-sanitare. Gjithashtu, produktet ushqimore (lëndë të para dhe produktet e gatshme) duhet të jenë të rregullt, si përsa i përket vend-blerjeve, ashtu edhe për dokumentacionin shoqërues. Po ashtu, punonjësit e angazhuar në “Ushqimin social” pajisen me Libreza Shëndetësore individuale. Për të gjitha shkeljet dhe kundravajtjet administrative sanitare, kur nuk përbëjnë vepër penale, nga inspektorët aplikohen dënime me gjobë, që për ekzekutim i dërgohen organeve të financës të pushtetit vendor. Ndërkohë, në bazë të Kodit të Procedurës Civile (neni 628), prodhuesi është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga të metat e produkteve të tij që ka vënë në qarkullim.
Tregjet
Drejtoria e Higjienës, për shkak të temperaturave të larta, ka shtuar kontrollet në tregjet e kryeqytetit. Nga kontrollet e kryera, ka rezultuar se disa prej tregjeve kanë nuk kanë zbatuar kushtet higjienë-sanitare. Sipas specialistëve, kontrollet janë bërë të imtësishme, duke filluar nga magazinimi, ambalazhimi, madje sipas tyre, kur janë vënë re shkelje, ndaj subjekteve janë vendosur gjoba si dhe janë asgjësuar produkte ushqimore. Por një problem shqetësues, i përsëritur, jo vetëm për specialistët e higjienës ushqimore, por edhe për konsumatorët mbeten tregtarët ambulatore, të cilët nuk plotësojnë asnjë standard për tregtimin e mallit. Madje, deri tani nuk është mbyllur ende asnjë treg edhe pse Drejtoria e Higjienës, ka kërkuar që të ndërmerret një hap i tillë, pasi kushtet higjienike në të cilat tregtohen mallrat bëjnë që ato të jenë të pakonsumueshme.
Pishinat
Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë ka ushtruar kontrolle të rrepta në të gjitha pishinat e kryeqytetit për të siguruar qytetarët për ujin e pastër. Shumica e pushuesve të kryeqytetit preferojnë të pushojnë në pishina për shkak të largësisë së deti apo preferencave. Ndërsa dyndja në pishina krijon dhe ndotjen e vazhdueshme të ujit të tyre. Inspektimet e ISHP-së janë kryer në 20 pishina, të cilat kanë rezultuar brenda normave të lejuara të pastërtisë. Ky institucion, kryen inspektime çdo muaj për ujin e pishinave, për pastërtinë e ujit, për rrjedhshmërinë dhe për qarkullimin e vazhdueshëm të tij. Por, nga ana tjetër shpeshherë pishinat janë bërë vatër e “nxehtë” e marrjes së infeksioneve. Specialistët theksojnë se kjo vjen për arsye të ndryshme, që tregon moskujdesjen ndaj qytetarëve.
Masat
Për të gjitha shkeljet dhe mangësitë që konstatohen nga Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe Epidemiologjik, do të vihen në zbatim penalizimet për subjektet që nuk zbatojnë rregulloren. Çdo datë 30 të muajit, për veprimtarinë e kryer, problemet dhe masat e marra, dërgohet informacion me shkrim në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Ministri të Shëndetësisë si dhe të informohen organet e qeverisjes vendore. Sipas një urdhri të Ministrisë së Shëndetësisë, qendrat shëndetësore në zonat turistike duhet të jenë 24 orë në punë. Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa për kontrollin e përditshëm të hoteleve, restoranteve dhe ujit të pijshëm për të shmangur sëmundje të ndryshme që rrezikojnë pushuesit gjatë pushimeve të nxehta të verës. Kështu, Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, ka firmosur dje një urdhër, nëpërmjet të cilit ka ngarkuar Drejtoritë e Shëndetit Publik për sigurimin e shërbimit shëndetësor 24-orësh për të gjithë pushuesit në zonat turistike të vendit. Ministri Ndoka ka kërkuar që Drejtoritë e Shëndetit Publik të jenë në gatishmëri të plotë për të trajtuar çdo rast që ka nevojë për shërbim shëndetësor dhe njëkohësisht qendrat do të furnizohen me medikamente dhe materiale mjekimi për rastet emergjente. Masat që parashikon urdhri i nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë synojnë një kontroll të plotë të kushteve higjienë-sanitare që ndodhen në mjediset e pushuesve.
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë
Të organizohet shërbim 24 orësh në qendrat shëndetësore në të gjitha zonat turistike të vendit, veçanërisht në ato zona ku numri i pushuesve gjatë sezonit të verës është i madh
Të furnizohen me medikamente dhe materiale mjekimi të ndihmës së shpejtë mjekësore të gjithë qendrat shëndetësore dhe urgjencat mjekësore
Të sigurohet gatishmëria për transportin mjekësor me autoambulancë për të sëmurët që kanë nevojë për këtë shërbim
Të fuqizohen kontrollet higjeno-sanitare dhe epidemiologjike në zonat turistike, për parandalimin e shfaqjes së shpërthimeve, në drejtimet e mëposhtme:
Kontrollin e përditshëm të ujit të pijshëm, dezinfektimin dhe marrjen e analizave për treguesit fiziko-kimik e mikrobiologjik duke bërë matjen e klorit dy herë në ditë
Kontrollin e hoteleve, restoranteve dhe pikave të tregtimit të produkteve ushqimore, për zbatimin e rregullave të përgjithshme të higjienës dhe veçanërisht në zbatimin e normave për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore
Kontrollin e masave të marra për dezinfektimin, desinsektimin dhe deratizimin e mjediseve të brendshme dhe të jashtme të të gjithë territoreve të zonave turistike
Në bashkëpunim me inspektoratin e mjedisit dhe autoritetet e pushtetit vendor, të ushtrohen kontrolle higjieno–sanitare për gjendjen e mjedisit e veçanërisht për grumbullimin, largimin e përpunimin e mbeturinave urbane si dhe ujërave të zeza nga gropat septike
23 Korrik 2008