Rama: Berisha të kërkojë ndjesë
ADI SHKEMBI
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagon publikisht, lidhur me sherrin e dy ditëve më parë në Kuvend, mes deputetit të tij Taulant Balla dhe Kryeministrit Sali Berisha. Në një konferencë për shtyp, kreu i PS-së shprehet se, ka pritur qëllimisht 24 orë nga ai incident në Parlament me shpresën se do të reagonte Kryeministri, por sipas tij, një gjë e tillë nuk ndodhi. “Prita 24 orë për t’i dhënë Kryeministrit Sali Berisha mundësinë që të kujtohet se nuk jemi as në kohën e kacafytjeve mes fiseve primitive dhe as në vendin e hakmarrjes a të gjakmarrjes, por në shekullin e XXI-të dhe në Shqipërinë kandidate për NATO e për Bashkimin Evropian, ku është e papërfytyrueshme të qeveriset duke sharë nga motrat e duke dhunuar me fjalë e me grushte deputetët e opozitës dhe ku ndjesa publike pas shfaqjesh shumë herë më pak të papëlqyeshme sesa ajo e Kryeministrit tonë parmbrëmë, është normë e pashmangshme”, theksoi Rama në fjalën e tij. Gjithashtu, Rama shprehet se ka pritur 24 orë për t’i dhënë kohë Kryeministrit Berisha që t’u thotë të gjithë qytetarëve e jo vetëm Taulant Ballës e familjes së tij, se është penduar për atë që ka shkaktuar në Kuvend gjatë seancës, kur po diskutohej buxheti suplementar. “Sot është dita për të thënë se Sali Berisha e mbuloi veten parmbrëmë me një turp tjetër, të pashembullt e të padëgjuar në historinë e Shqipërisë e të Evropës, por edhe se turpi i dy netëve më parë sot rëndon akoma më shumë, sepse duke mos kërkuar asnjë lloj ndjese Kryeministri i Shqipërisë u thotë të gjithë shqiptarëve, pa dallim, se për të s’ka asnjë fije rëndësie dinjiteti i tyre si qytetarë e si zgjedhës. Këtë turp të madh asnjë shqiptar e shqiptare s’duhet ta harrojë dhe madje duhet ta kujtojë mbi të gjitha për ditën e zgjedhjeve të ardhshme”, theksoi më tej Rama. “Përkundrazi, në vend të ndjesës me duart e shërbëtores së tij Jozefinë, Kryeministri përjashtoi për 15 ditë nga Kuvendi viktimën e barbarisë së tij. Kush ka sy të shikojë kush na qeveris, kush ka veshë të dëgjojë si na qeveris, kush ka mend të mos harrojë asgjë, për të mos lejuar që ky njeri jo vetëm i paaftë e i papërgjegjshëm, por edhe i paskrupullt, të na qeverisë përtej afatit që i skadon në më pak se një vit”, u shpreh Rama. Në fund, kreu i socialistëve u shpreh se ajo që ndodhi në orët e para të së martës në Kuvend, është një arsye më shumë, që qytetarët të bashkohen me politikën e re “pa rënë në batakun e gjuhës së egër të sharjeve e shpifjeve reciproke, po duke vazhduar me largpamësi e vendosmëri rrugën që na ndan nga politika e vjetër e 17 vjetëve dhe nga shëmbëlltyra e saj më e keqe, Sali Berisha”.
PD: Rama organizator i sherrit
Partia Demokratike reagoi dje nëpërmjet zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani lidhur me incidentin e një dite më parë në kuvend mes kreut të qeverisë dhe deputetit të PS-së, Taulant Balla. “Edi Rama hoqi maskën dhe dëshmoi se, është ai organizatori i akteve të ulëta, provokuese dhe rrugaçeske në Parlament. Se është ai që komandon dy rrugaçë, të cilët në çdo seancë shpifin dhe trillojnë ndaj zyrtarëve dhe personaliteteve të vendit, duke dëshmuar edhe një herë se çfarë përfaqëson realisht z. Rama”, u shpreh Bogdani, teksa shtoi se Balla dhe Braçe janë gjuha e Edi Ramës dhe përfaqësojnë politikën e tij të re.
PSD: Do të bojkotojmë Kuvendin
Partia Socialdemokrate do të bojkotojë sot Kuvendin, pas sherrit të ndodhur gjatë diskutimit të buxhetit suplementar. “Ne i bëjmë thirrje popullit shqiptar të distancohet nga kjo qeveri e dhunës dhe e korrupsionit, të distancohet nga lideri i saj, që sa herë vjen në krye të shtetit sjell vetëm varfëri, klimë të rëndë agresioni dhe dhunim të institucioneve. Grupi i PSD do të bojkotojë nesër seancën e Kuvendit deri në një rakordim të ri me PS dhe partitë e tjera të opozitës”, deklaroi dje në një konferencë për shtyp deputetja e PS-së, Diana Çuli, e cila shtoi se fjalori i përdorur në Kuvend ishte i denjë vetëm për Berishën.
“Mbështesim mocionin për Topallin”
Nënkryetari socialist i Kuvendit, Ylli Bufi tha dje në një konferencë për shtyp se PS-ja do të mbështesë mocionin e shkarkimit ndaj kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. “Ne do të jemi pjesë e çdo iniciative që në radhë të parë siguron transparencën, dhe kryerjen në mënyrë të rregullt në përputhje me rregulloren dhe Kushtetutën të çdo veprimtarie në Kuvendin e Shqipërisë. Padyshim, çdo mocion ndaj kryetares së Kuvendit dhe çdo veprim tjetër që do t’i shërbente kësaj ne do jemi të këtij mendimi”, u shpreh dje Bufi, teksa kritikoi mënyrën se si kryeparlamentarja po drejton seancat e kuvendit.
Meta: Opozita të ndërpresë dialogun me Sali Berishën
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që opozita të ndërpresë çdo bashkëpunim me Kryeministrin Sali Berisha, derisa ai të kërkojë falje për incidentin e të martës në mëngjes në Parlament. Qëndrimin e bëri dje publik kreu i LSI-së, Ilir Meta, teksa tha në një konferencë për shtyp, se kreu i qeverisë duhet të shkojë në Parlament për t’u përgjigjur të gjitha interpelancave me deputetët e opozitës. “LSI fton opozitën dhe aktorët e tjerë të përgjegjshëm politikë në Kuvendin e Shqipërisë, që të ndërpresin dialogun politik me njeriun që fatkeqësisht është ende Kryeministër i Shqipërisë, derisa ai të kërkojë ndjesë publike ndaj deputetit Balla, ndaj Kuvendit dhe ndaj të gjithë opinionit publik, derisa Kryeministri Berisha, t’ju përgjigjet të gjitha interpelancave dhe pyetjeve të bëra nga deputetë të opozitës, që i ka injoruar deri tani tërësisht nën euforinë të pushteteve të jashtëzakonshme dhe të pali-gjshme që ka marrë në natën e 21 prillit”, u shpreh dje Meta. Në të njëjtën kohë, kreu i LSI-së denoncoi edhe incidentin në Parlament, duke thënë se sjellja e kryeministrit është njësoj si ajo e 1997. “LSI denoncon edhe njëherë aktin e turpshëm të Sali Berishës, i cili në papërgjegjshmëri të plotë u shfaq në sytë e shqiptarëve, ai që është në të vërtetë, një karakteropat i pandreqshëm dhe i rrezikshëm njësoj si në ‘97-ën. LSI dënon abuzimin me atributet ligjore dhe kompetencat nga ana e Kryetares së Kuvendit, e cila pasi bëri thirrje të nxirrej prej zhelesh jashtë një deputet, për fat të keq u bë edhe ortake me Kryeministrin Berisha me fjalorin dhe sjelljen e tij fyese ndaj deputetit dhe Parlamentit”, theksoi Meta. I pyetur rreth letrës së ambasadorit Withers, për largimin e diplomatëve nga salla e Parlamentit, kur po raportonte kryeprokurorja Ina Rama, kreu i LSI-së u shpreh se duhet të riaktivizohet kërkesa për mocion ndaj kryeparlamentares. “Nuk ka ndonjë rast më flagrant, sesa kjo ngjarje që ka ndodhur në Kuvend, ku kryetarja e Kuvendit në vend që t’i qetësonte gjakrat, përkundrazi i fryu edhe më tej zjarrit, dhe njëkohësisht kur kryetarja e Kuvendit mban qëndrim ndaj një deputeti, dhe nuk mban asnjë lloj qëndrimi ndaj Kryeministrit, por përkundrazi bëhet ortake në atë dhunim verbal dhe politik që ndodhi në Kuvend, i cili mund të degradonte edhe në dhunime fizike”, u shpreh Meta.