E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Petro Koçi braktis ngrehinën ylberiste, nuk pranon pushtimin e dyshes Rama-Ruçi

Ndryshimet Kushtetuese të miratuara seancën e fundit plenare në Kuvend që morën shumicën e votave nga PS e PD, janë bërë shkaku që deputeti socialist Petro Koci ka braktisur grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Pas votimit të hënën në Kuvend, deputeti socialist konfirmoi dje, se ai nuk do të jetë më pjesë e grupit të PS-së, duke akuzuar dhe reaguar ashpër ndaj kryetarit të partisë ku ai bën pjesë, madje duke aluduar se i hapi rrugën Berishës për fitore në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, votimi në Kuvend ishte një funeral i demokracisë. “Shndërrimi i PS-së në parti ish-Socialiste, privatizimi i saj nga dyshja Rama-Ruçi, ndarja me të majtën dhe bashkimi me Sali Berishën, shpërdorimi i Kushtetutës për të çimentuar Sali Berishën në Kryeministri dhe për t’i garantuar atij zgjedhjet e 2009, kthimi i lidershipit në shoqatë ‘Delijorgji’ për të mbyllur çështjen Gërdeci, më bëjnë mua socialistin Petro Koçi të deklaroj ndarjen nga Grupi Parlamentar i PS-së”, tha ai. Koçi, duke e konsideruar këtë vendim të vështirë, tha se “PS nuk ka asnjë detyrim ndaj meje, unë kam detyrime ndaj socialistëve”. Përsa i takon bashkëpunimit me të majtën në të ardhmen, Koçi theksoi, se “kjo do të vendoset së afërmi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›