Mjeku nuk pranon fajësinë për vdekjen e 17-vjeçares
Emanuela Sako
Mjeku që operoi nga bajamet 17-vjeçaren që humbi jetën 3 ditë më parë, e nxjerr veten “të larë” nga kjo histori. Xhevahir Hoxhallari, deklaron se ligjërisht dhe profesionalisht ndihet i pafajshëm për humbjen e jetës së adoleshentes nga Maliqi i Korçës. “Në ndërgjegjen time nuk ndiej asnjë gabim mjekësor, neglizhencë në ndjekjen e së sëmurës dhe asgjë që të më fajësojë’,- u shpreh mjeku otorino laringolog që operoi Matilda Petritin. Duke shprehur ngushëllimet për familjarët e adoleshentes, mjeku Hoxhallari deklaroi se është i hapur ndaj hetimeve lidhur me vdekjen e pacientes 17 vjeçare, që u operua në klinikën e tij private në Pogradec. Kështu, duke larguar çdo përgjegjësi nga vetja, Hoxhallari tashmë pret vetëm përfundimin e hetimeve që do të bëhen nga prokuroria dhe nga grupi i ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas mjekut, vajzës i është bërë trajtimi i nevojshëm mjekësor, duke u shprehur se ky rast është i rrallë që pacienti të ketë hemorragji 20 ditë pas kryerjes së operacionit. Matilda Petriti, është përcjellë paraditen e djeshme për në banesën e fundit, në vendlindjen e saj Livbonik të Korçës. Prindërit, kërkuan që vajza e tyre të vishej me vellon e nusërisë, gjë të cilën nuk mundi ta arrinte dot në jetë.
Versioni
Përveç akuzave të prindërve të vajzës që, se shkaktari i vdekjes është pakujdesia e mjekut, Hoxhallari ka dhënë versionin e tij.
Sipas tij, vajza u operua në 6 prill nga një infeksion kronik në bajame, pasi vuante prej vitesh dhe kishte indikacione të plota për t’iu nënshtruar heqjes së tyre. Operacioni është kryer brenda parametrave normalë, që përshkruajnë protokollet. Ndërkohë që ai pohon se edhe periudha pas operacionit kaloi shumë mirë dhe nuk ka pasur asnjë ndërlikim. Pas operacionit, 17-vjeçarja Petriti u mbajt nën vëzhgimin e mjekëve për disa orë dhe më pas u dërgua në shtëpi në Libonik (Korçë), në gjendje mjaft të mirë. Mjeku sqaron se komplikacionet e para kanë ndodhur në ditën e katërt të operacionit, ku është vënë re plasja e hemorragjisë, që nuk ka qenë e madhe por ka pasur nevojë për trajtim dhe është trajtuar në spitalin e Korçës. Gjendja e saj u përmirësua sërish, por më pas hemorragjia u ripërsërit. Përveç versionit të mjekut prindërit tregojnë se e kanë sjellë vajzën në kushte të vështira dhe në gjendje të rënduar, ndërkohë që Hoxhallari ishte mjeku që do të kujdesej përsëri për Matildën. Në makinën që vajza u transportua për në QSUT, nuk kishte asnjë përkujdesje mjekësore sepse Hoxhallari po i ndiqte me makinë private pas makinës që po çonte vajzën për në QSUT.
Prokuroria
Çështja e vdekjes së 17-vjecares, Matilda Petriti, po hetohet nga Prokuroria. Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është ngritur një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe shkaktarët që çuan në humbjen e jetës. Nga të dhënat e administruara deri më tani nga grupi hetimor, rezulton se rreth një muaj më parë, viktima ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale (në bajame) në një klinikë në qytetin e Pogradecit dhe vetëm para dy ditësh ka mbërritur në Tiranë për një mjekim më të specializuar.
Burimet zyrtare konfirmuan se prokuroria e Tiranës ka grumbulluar të gjithë praktikën mjekësore të këtij rasti, si dhe ka marrë në pyetje edhe dy mjeke, të cilët kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale të 17-vjeçares nga Korça.
Ministria e Shëndetësisë, po verifikon të dhënat që shkaktuan vdekjen
Grupi i punës i ngritur me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, për hetimin e rastit të vdekjes së Matilda Petritit, 17 vjeçares nga Korça, po verifikon të gjithë dokumentacionin e mjekut Xhevahir Hoxhallari, që ka kryer ndërhyrjen ne klinikën private në Pogradec. Ekspertët po shqyrtojnë kartelën e pacientes që humbi jetën 3 ditë më parë në QSUT. Kështu, Ministria e Shëndetësisë, me urdhër të Ministrit Ndoka, ka ngritur grupin e punës për shqyrtimin dhe hetimin e rastit të vdekjes së Matilda Petritit. Grupi i punës po verifikon të gjithë dokumentacionin e mjekut që ka bërë ndërhyrjen, dokumentacionin e klinikës private në Pogradec ku është kryer dhe ndërhyrja dhe njëkohësisht po shqyrton kartelën e pacientes.
Pepa: ”Sigurim profesional për ushtrimin e profesionit të mjekut”
Ministria e Shëndetësisë duhet të mendojë domosdoshmërish për hartimin e një strategjie për sigurimin profesional në ushtrimin e profesionit të mjekut. Me pak fjalë, mjekët përveç përgjegjësive duhet të dëmshpërblejnë familjen e pacientit. Ky është reagimi zyrtar që vjen nga Mati Pepa, Drejtori i QSUT-së, sipas të cilit, duhet të ndërtohen medoemos strategji për të shmangur mjaft debate dhe komplikime në situata të tilla, ku në qendër janë mjekët. Kjo, pavarësisht se ngjarja ka ndodhur në një klinikë private, sepse mjeku ushtron profesionin e tij edhe në QSUT. “Pavarësisht se ndërhyrja është kryer në një klinikë private, por nga një mjek që punon në QSUT, ndihem i detyruar që të ngushëlloj familjarët e vajzës dhe t’i siguroj ata se do të vë në dispozicion të organeve hetimore çdo dokument që do të më kërkohet, në bazë të rregullores së QSUT”, -u shpreh Pepa. Ai tha se kontrollet mbi klinikat private duhet të jenë shumë të rrepta e të shpeshta nga ana e strukturave shtetërore dhe kriteret e licencimit të tyre duhet të shqyrtohen me vëmendje nga organet kompetente. Sipas tij, është koha që çdo mjek që ushtron profesionin e tij në rast të një gabimi profesional, duhet të dëmshpërblejë familjarët e pacientit. Ministria e Shëndetësisë duhet të mendojë për fillimin e hartimit të rregullores për sigurimin e përgjegjësisë profesionale.
Urdhri i Mjekut, kërkon hetimin e klinikave private në vend
Klinikat shëndetësore private nuk i plotësojnë kushtet për kryerjen e një sërë ndërhyrjesh. Për këtë është kërkuar që Ministria e Shëndetësisë duhet të nisë inspektimet e menjëhershme për të parandaluar rastet të tilla, si i vajzës nga Korça. Faik Toska, Drejtues i Urdhrit të Mjekut, sqaron se tashmë ka ardhur koha që Ministria e Shëndetësisë të marrë përsipër nisma të tilla për verifikimin e kushteve shëndetësore. Kjo, pasi një pjesë e madhe e klinikave private, nuk i plotësojnë kushtet për të ushtruar aktivitete mjekësore dhe për më tepër ndërhyrje kirurgjikale. Çështja tashmë do të shqyrtohet edhe nga “Urdhri i Mjekut”.
Projektligji i MSH-së, masat e reja për klinikat private
Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një projektligj ku parashikon penalizime me gjoba të ndryshme nga ligji i mëparshëm për subjektet që shkelin rregullat e përcaktuara nga ky dikaster. Në nenin 54 të projektligjit thuhet se shkelja e kërkesave të neneve për aktivitetin privat, për Mbikeqyrjen e Institucioneve të Kujdesit Shendëtësor, për Licencimin, për Sistemin e Informacionit Shëndetësor dhe për Ligjin e Detyrimeve gjatë Grevës, kur këto nuk përbëjnë vepër penale por shkelje administrative, dënohen me gjobë nga pesëfishi deri në dhjetëfishin e pagës minimale në shkallë vendi. Kështu, në rast se në këto rregulla të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë haset kundravajtje administrative, gjobiten me pesëfishin apo dhjetëfishin e 160 mijë lekëve që është paga minimale në vend. Autoriteti për vënien e gjobës në këto raste është Inspektorati Shëndetësor Shtetëror. Ky draft, i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, do të shkojë së shpejti për diskutim në Këshillin e Ministrave. Masat do të merren në rastet kur do të hasen shkelje nga klinikat private. Ministria e Shëndetësisë nuk lejon që aktivitetet private të kryejnë fekondim artificial në rastet kur dhuruesi është person i panjohur për çiftin apo në rastet kur gabohet në përcaktimin e atësisë te fëmijët e porsalindur. Po kështu, gjoba do të vendoset në rastet kur në një klinikë shkelen rregullat për marrjen, ruajtjen, transportin dhe transplantimin e indeve dhe organeve njerëzore përveçse në raste të autotransplantimit. Këto veprimtari, Ministria e Shëndetësisë ia ndalon klinikave private. Rrezikohen të gjobiten të gjithë institucionet shëndetësore që nuk iu përshtaten rregullave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo pasi institucionet shëndetësore dhe punonjësit e shëndetësisë, publik, privat apo formë tjetër pronësie, janë të detyruar të pranojnë të mbikeqyren nga Ministria dhe këshillat administrativ përkatës. Subjektet gjobiten në rast se shkelen disa procedura në licencimin e subjekteve. Po kështu, qendrat shëndetësore do të gjobiten në rast se nuk do të realizojnë detyrimet ndaj grevave. Dhënia e informacioneve shëndetësore dhe raportimi i tyre në mënyrë periodike është detyrë e qendrave shëndetësore publike dhe private. Nëse hasen pasaktësi gjatë raportimeve, atëherë Ministria është e detyruar të përcaktojë disa sanksione ndaj përgjegjësve të situatës.
30 Prill 2008