Gjimnazi “Sami Frashëri”, tani mësim edhe në gjermanisht
Jonida Tashi
Mësimi në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në kryeqytet në vitin e ardhshëm arsimor do të realizohet jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në gjermanisht. Kjo falë marrëveshjes së nënshkruar dje, nga ministri i Arsimit Genc Pollo dhe ambasadori i Republikës Federale së Gjermanisë në Shqipëri Bernd Borchardt. Pollo dhe Bernd Borchardt nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi për çeljen e seksionit dygjuhësh në shkollën e mesme “Sami Frashëri” dhe mësimin e gjuhës gjermane në shkollën bazë “Fan Noli” në Tiranë. Seksioni dygjuhësh duhet të hapet, sipas deklaratës, me një ose disa klasa paralele, në të gjitha vitet e shkollës së mesme, në të cilat do të realizohet mësimi i gjuhës gjermane dhe i një pjese të lëndëve në këtë gjuhë. Gjithashtu, në vitin 2010-2011 brezi i parë i seksionit dygjuhësh duhet të japë provimet e Maturës Shtetërore në shqip dhe gjermanisht. MASH sqaron se për këtë qëllim do të ngrihet një grup i përbashkët pune, në përbërje të të cilit do të jenë edhe ministri i Arsimit dhe Genc Pollo dhe ambasadori Borchardt. Ky grup do të përpilojë detajet dhe mënyrën e funksionimit të seksionit dygjuhësh si dhe do të përgatisë: Planin dhe programet mësimore; Rregullat për zhvillimin e Maturës Shtetërore; Kriteret e përzgjedhjes së nxënësve; Organizimin nga pala gjermane i kurseve intensive për mësimin e gjuhës; Dërgimin e mësuesve gjermanë; Bashkëmësimdhënia; Kualifikimin e mësuesve; Zhvillimin e mjeteve mësimore; Certifikimin përfundimtar.
Seksionet
Seksionet dygjuhëshe janë hapur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1998 në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë. Seksionet dygjuhëshe nënkuptojnë mësimin e të gjitha lëndëve në dy gjuhë, gjuha e huaj, (që deri tani janë anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja) dhe shqip. Një nga avantazhet e nxënësve të diplomuar në këto seksione dhe që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në vendet përkatëse është përjashtimi nga provimi i gjuhës së huaj dhe procedura lehtësuese për regjistrimin në universitetet franceze, italiane, angleze. Një përfitim tjetër nga këto klasa është trajnimi dhe kualifikimi i mësuesve tanë të gjuhëve të huaja nga pala tjetër. Në vendin tonë aktualisht ekzistojnë shtatë seksione dygjuhëshe, tre nga të cilat janë seksione dygjuhëshe shqip-italisht në Tiranë, në Korçë dhe Shkodër, tre seksione dygjuhëshe shqip-frëngjisht, në Tiranë, Korçë dhe Elbasan, dhe së fundi një seksion në gjuhën gjermane në Tiranë.
Ceremonia
Gjatë ceremonisë ministri Pollo tha ndër të tjera: “Jam shumë i gëzuar që nënshkruaj me ambasadorin e Gjermanisë Borchardt marrëveshjen kuadër për hapjen e seksionit dygjuhësh shqip gjermanisht në gjimnazin e njohur të Tiranës, “Sami Frashëri” si dhe për mësimin e gjermanishtes në shkollën “Fan Noli”. Kreu i Arsimit ka bërë të ditur se MASH-i ka marrë disa nisma për mësimin e gjuhëve të huaja duke intensifikuar mësimin e tyre, duke bërë përpjekje për ta modernizuar atë dhe për ta bërë një mjet të rëndësishëm avancimi personal dhe profesional. Sipas Pollos, gjuha e huaj për shqiptarët është e domosdoshme sidomos në këtë shekull dhe duke themeluar një seksion dygjuhësh shqip-gjermanisht në gjimnazin “Sami Frashëri”, është hapur një dritare dhe një mundësi për një gjuhë të madhe të kontinentit, të rëndësishme për kulturën dhe shkencën, si dhe për tu bërë pjesë e plotë e familjes euro-atlantike. Tradita e gjuhës gjermane në vendin tonë është e njohur prej kohësh, por rëndësia e saj qëndron në faktin se ajo është një nga gjuhët më të folura në Bashkimin Evropian. Gjatë nënshkrimit të kësaj deklarate, të dy palët pohuan rëndësinë e përçimit të njohurive praktike të gjuhëve të huaja si kompetencë kyçe brenda programeve shkollore, dhe vlerën e mësimit dygjuhësh si një formë e re mësimdhënieje, në të cilën kombinohen përftimi i njohurive të gjuhës së huaj dhe përçimi i këtyre kompetencave.
Detyrat e grupit të punës për seksionin dygjuhësh
Përgatitja e planit dhe programet mësimore
Rregullat për zhvillimin e Maturës Shtetërore në shqip dhe gjermanisht
Kriteret e përzgjedhjes së nxënësve
Organizimin nga pala gjermane i kurseve intensive për mësimin e gjuhës
Dërgimin e mësuesve gjermanë
Bashkëmësimdhënia
Kualifikimin e mësuesve
Zhvillimin e mjeteve mësimore
Certifikimin përfundimtar
Barka: “Strategji Kombëtare për Sigurinë e Shëndetit në Punë”
Ministria e Punës së shpejti do të hartojë një Strategji Kombëtare për Sigurinë e Shëndetit në punë. Ministri i punës Kosta Barka deklaroi dje, se duhet të merren një sërë masash të rëndësishme për të forcuar kapacitetet e ndërhyrjeve të Inspektoratit Shtetëror të Punës, me synim promovimin e kushteve të denja të punës, me standarde të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës dhe me objektiv shndërrimin e vendit të punës në një ambient të sigurt. Gjithashtu, ai bëri të ditur se për të realizuar këtë objektiv, Ministria që ai drejton ka nisur tashmë punën me një plan ambicioz, që fillon në fushën e legjislacionit dhe do të materializohet me hartimin e një Strategjie Kombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, si edhe me hartimin e ligjit përkatës. Slogani i shpallur për këtë vit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), për sigurinë në punë “Jeta ime – puna ime – puna ime e sigurt”, do të kthehet në moto të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe strukturave të saj, për të garantuar jetën dhe shëndetin e punonjësve. Me rastin e 89-vjetorit të themelimit te ILO-s, Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, së bashku me Zyrën e ILO-s në Tiranë dhe partnerët socialë, prezantoi dje, rezultatet e bashkëpunimit me organizatën e OKB-së në fushën e punës dhe nivelin e zbatimit të Konventave te ILO-s të ratifikuara nga Shqipëria.
Fier Të rinjtë, aktivitete informuese për qytetin antik të Apolonisë
Të rinjtë nga disa qytete kryesore të vendit janë përfshirë në një projekt të drejtorisë së Parkut arkeologjik të Apolonisë, rreth 120 km larg Tiranës, projekt që synon prezantimin e vlerave të këtij qyteti antik. Drejtori i parkut, Marin Haxhimihali, u shpreh se projekti që do të zbatohet në bashkëpunim me parlamentet rinore të shkollave të qyteteve kryesore ndërmerret në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin dhe zhvillimin e turizmit dhe rritjes së numrit të vizitorëve në parkun arkeologjik Apolonia. Në kuadër të këtij projekti, të rinj nga Shkodra, Lezha, Fieri, Vlora, Durrësi, Berati, Elbasani, etj, do të angazhohen në pastrimin e territorit të këtij parku ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri. “Në të njëjtën kohë të rinjtë marrin dhe informacion për vlerat turistike dhe arkeologjike që mbart ky park”,- sqaroi Haxhimihali. Duke u ndalur tek ky sezon turistik ai shtoi se ky sezon ofron për vizitorët vendas dhe të huaj kushte më të mira ndaj dhe pritet që numri i turistëve pritet të jetë më i madh se çdo vit tjetër. Qyteti antik i Apolonisë, sipas të dhënave, është krijuar rreth shekullit VI.pe.r. Ai shtrihet në kodrën midis fshatrave Pojan e Kryegjatë në perëndim të Fierit. Në pjesën e sipërme të kodrës ruhen disa pjesë të murit mbrojtës të qytetit antik dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apolonatëve. Të periudhës së antikitetit janë dhe portiku i qendrës së qytetit, teatri, një çezmë monumentale, etj.
30 Prill 2008