E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi kundër “Procedurave tatimore”, cenojnë lirinë dhe pronën

Qeveria paraqitet me dy projektligje në Komisionin e Ekonomisë. Projektligji u jep të drejtë tatimorëve të sekuestrojnë dhe shesin pasurinë

Ervin Koçi

Projektligji “Për procedurat tatimore”, i sjellë nga qeveria në komisionet parlamentare për t’u diskutuar dhe miratuar, është konsideruar “si arbitrar dhe si një ligj tipik komunist për nga formulimi pasi në bazë të tij mban gjobat dhe sekuestrimet e pronës”. Këto argumente janë sjellë dje nga përfaqësuesit e biznesit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku dhe janë bërë diskutimet e radhës në lidhje me projektligjin “Për procedurat tatimore”. Në seancën e djeshme të diskutimeve në këtë komision, i cili është përfshirë nga debatet dhe kontestimet e opozitës dhe përfaqësuesve të biznesit mbi pikat e ligjit, është zbuluar dhe shkelja e radhës që ka bërë qeveria me këtë ligj. Përfaqësuesit e biznesit kanë konstatuar se projektligji i paraqitur nga qeveria deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, ishte i ndryshëm nga ai që kishin marrë për ta shqyrtuar grupet e interesit. Në lidhje me këtë, biznesi nga ana e tij kërkoi hedhjen poshtë dhe ndryshimin e disa pikave të këtij projektligji sidomos të neneve për vendosjen e gjobave të ndryshme apo dhe për sekuestrot që tatimet mund t’i bëjnë pronës dhe mallit të subjekteve.

Sekuestrimet dhe bllokimet

Në bazë të projektligjit të paraqitur nga qeveria në Komisionin e Ekonomisë, administrata tatimore ka autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara, për të cilat nuk është ushtruar e drejta e ankimit, apo kanë kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit administrativ dhe gjyqësor. Administrata tatimore i ushtron këto kompetenca duke zbatuar metodat e vlerësimit të riskut, për të përcaktuar dhe zbatuar në çdo rast masën më të përshtatshme të mbledhjes me forcë, në mënyrë që të maksimalizojë mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara. Referuar projektligjit, në qoftë se tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor, administrata tatimore nëpërmjet një urdhri me shkrim të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale, apo i njësisë së ngjashme me të, si dhe titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore, i kërkon çdo banke në të cilën tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të mbajë një shumë e cila duhet të jetë më e vogël, ndërmjet shumës që kërkohet të mbahet dhe shumës që rezulton në atë moment në llogarinë bankare të tatimpaguesit. Në projektligj parashikohet që tatimpaguesi mund t’i paguajë detyrimet tatimore në mënyrë elektronike, nëpërmjet bankave ose institucioneve të tjera, që kanë lidhur marrëveshje me administratën tatimore për të pranuar këto pagesa.

Kundërshtimet në komision

Vërejtjet e biznesit për projektligjin e tatimeve nuk po merren parasysh nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave, ku drafti po shqyrtohet nen për nen. Deputetët kanë hedhur poshtë kërkesën e radhës të biznesit në nenin për deklarimet tatimore.
Sipas projektligjit, në rastet kur këto deklarata mungojnë ose janë të pasakta, ato do të përcaktohen nga administrata tatimore me metoda alternative. Përfaqësuesja e ministrisë së Financave, Lindita Rusmali, u shpreh se “kur detyrimi tatimor nuk paguhet në afat, tatimpaguesi është i detyruar që, për periudhën nga afati i pagesës deri në datën e pagesës së tatimit, të paguajë kamatëvonesë mbi këtë shumë në masën e përcaktuar”. Por biznesi kishte kërkuar që tatimet të ushtrojnë më parë kontrolle dhe pastaj të bëjnë vlerësimin për gjobë. Por pavarësisht argumenteve të sipërmarrjes private, deputetët kanë lënë në fuqi variantin e qeverisë. Sipas Rusmalit, “kur administrata tatimore nxjerr vlerësimin e një detyrimi tatimor në përputhje me ligjin, detyrimi tatimor i vlerësuar, paguhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data në të cilën tatimpaguesi ka marrë ose konsiderohet të ketë marrë njoftimin e vlerësimit dhe kërkesën për pagesë”.
Gjatë mbledhjeve të mëparshme, deputetët e maxhorancës kanë hedhur poshtë edhe propozimet e tjera të biznesit, si çështja e ankimimit apo funksioni i hetimit tatimor.

Kërkesa e biznesit

Përfaqësuesit e biznesit dhe të Dhomës Amerikane të Tregtisë i kanë bërë thirrje qeverisë që të marrë parasysh sugjerimet e tyre, pasi drafti shkel të drejtat e biznesit dhe i kthen inspektorët tatimorë në policë apo konfiskues të mallit. Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Industrisë “Amcham”, kundërshtoi disa nene të projektligjit të ri "Për Procedurat Tatimore", që po diskutohet në Kuvend prej disa javësh. “Amcham” paraqiti vërejtje lidhur me nenet për parapagesën e 15 për qind të interesave dhe gjobave, fillimin e procedurave të falimentimit, si dhe sekuestrimin e llogarive bankare nga kreu i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, kur vërehen shkelje nga subjektet tregtare e prodhuese.
Gjatë një konference për shtyp të bërë dje, përfaqësues të kësaj Dhome, thanë se “këto nene të këtij projektligji sjellin pasoja negative për biznesin, pasi i japin më shume pushtet administratës tatimore, ndërkohë që cenojnë të drejtat e biznesit”. Sipas tyre, “Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ngritur zërin vazhdimisht, madje e ka çuar çështjen deri në gjykatën Kushtetuese lidhur me parapagesën e 15 për qind të interesave dhe gjobave dhe këmbëngul që ky nen të hiqet, pasi kështu paragjykohet përfundimi i ankimimit dhe penalizohet padrejtësisht biznesi”. “Amcham”, kundërshton kalimin e përgjegjësive tatimore nga kompania tek aksionari, prekjen dhe sekuestrimin e llogarive bankare pa vendim gjykate, të mallit apo pronës nga policia tatimore, etj. Këto vërejtje, biznesi ia ka parashtruar qeverisë shumë muaj më parë, atëherë kur drafti ishte ende në fazën e hartimit.

Tatimet sekuestrojnë dhe shesin pasurinë e subjekteve që nuk paguajnë gjobat

Për të shmangur mospagimin e gjobave dhe të detyrimeve të tjera, qeveria në projektligjin “Për procedurat tatimore” ka parashikuar vjelje të detyrimeve me forcë. Kështu parashikohet bllokim i llogarive bankare, si dhe sekuestrim i pasurive dhe më pas shitja e tyre për efekt të pagesës së shumës përkatëse. Sipas nenit 93 të draftit në fjalë, në rast të mospagesës në kohë të detyrimit apo dhe refuzimit të tij, organet tatimore mund të veprojnë me sekuestrimin e pasurisë. Në këtë rast do të duhet dhe një vendim me shkrim prej drejtorit të drejtorisë rajonale. Kopja e vendimit i dërgohet dhe subjektit që do të preket prej këtij veprimi. Masa zbatohet pas 30 ditëve nga njoftimi i subjektit. Por në rast se tatimorët vërejnë se mund të ketë rrezik në çuarjen drejt pagesës së detyrimit mund të veprojnë dhe me sekuestrimin e menjëhershëm të pasurisë. Në këtë rast pasuria shitet me ankand. Ndërsa në shumën që duhet të përfitojnë organet tatimore do të jenë gjobat, si dhe faturat e tjera administrative në kryerjen e procedurës. Në rast se sërish do të ketë një shumë financiare të mbetur, ajo i kthehet brenda 5 ditëve subjektit tatimor të prekur. Në projektligj është parashikuar dhe që personat të cilët fshehin qëllimisht dokumentacionin apo dhe i falsifikojnë ato, do të jenë objekt i një kallëzimi të mundshëm penal, qofshin këta investitorë apo punonjës të kontraktuar për administrimin e dokumenteve. Agjenti mbajtës i të dhënave parashikohet të paguajë deri në 50 për qind të shumës së shmangur apo dhe të padeklaruar.

Projektligji, kontratat e punëmarrjes deklarohen brenda 48 orëve

Në reformën e nisur prej qeverisë janë parashikuar dhe ndryshimet mbi marrëdhëniet Tatime-Punëdhënës-Punëmarrës. Tatimpaguesi është i detyruar që të deklarojë lidhjen e një kontrate të re me punëmarrësit brenda 48 orëve nga lidhja e marrëveshjes. Në rast të kundërt, tatimorët kanë të drejtën e vendosjes së gjobës 10- 20 mijë lekë. Me anë të një vendimi të tillë, kërkohet të eliminohet fshehja e qëllimshme e punonjësve në një subjekt tatimor. Gjatë kontrolleve që do të ushtrohet prej tatimorëve, do të bëhet dhe verifikimi i saktë i periudhës së momentit të lidhjes së marrëdhënieve të punës. Në projektligj është parashikuar që agjenti i mbajtjes së tatimit të llogarisë saktësisht dhe të mbajë në burim tatimin për një subjekt. Për këtë duhet të respektohet afati i përcaktuar në ligj. Në të kundërt, do të veprohet menjëherë me gjobat përkatëse. Duhet të mbajë dhe regjistrime për të ardhurat e papaguara dhe për tatimet e mbajtura në tatim të të gjithë tatimpaguesve dhe të pagesave të transferuara në Buxhetin e Shtetit. Gjithashtu, ai duhet t’i paraqesë administratës tatimore informacionin e saktë për deklaratat e tatimpaguesve në datën e përcaktuar më parë në ligj. Ndërsa për rastet kur një subjekt nuk është rezident në Shqipëri, do të ketë detyrimin e emërimit të një përfaqësuesi ligjor të tij, i cili duhet të bëjë dhe regjistrimin në Qendrën Kombëtare. Në këtë rast janë përjashtuar ato subjekte që të ardhurat, me burim në Shqipëri, i kanë objekt i tatimit përfundimtar të mbajtur në burim, si dhe në rastet kur ai kërkon t’i dorëzojë vetë deklaratat tatimore.

Pagesa me këste

Një subjekt ka të drejtën e pagesës me këste të detyrimit të tij. Në rastet e pamundësisë së pagimit, ai duhet t’i drejtohet me shkrim Drejtorisë Tatimore, ku duhet të përcaktojë dhe arsyet e kësaj kërkese. Gjithsesi, afati nuk mund të jetë më i gjatë se një vit kalendarik. Ndërsa tatimorëve u lind e drejta e refuzimit të kërkesës apo dhe marrja në konsideratë e një garancie bankare për çështjen që shtrohet.

Njoftimi i kontrollit

Administrata tatimore është e detyruar që t’i dërgojë tatimpaguesit njoftimin me anë të të cilit kërkon kontrollin. Në këtë njoftim duhet të parashikohet e gjithë procedura e kontrollit, si dhe dokumentet që duhen. Në mënyrë të detajuar paraqitet dhe periudha e cila kërkohet të verifikohet, si dhe orën e datën e nisjes së kontrollit. Në këtë rast subjekti është i detyruar të paraqesë çdo të dhënë të kërkuar.

Raporti përfundimtar

Raporti përfundimtar i kontrollit tatimor plotësohet dhe nënshkruhet nga të gjithë pjesëtarët e grupit të kontrollit dhe miratohet nga urdhëruesi i tij. Brenda 14 ditëve kalendarike nga data e marrjes së kundërshtimit të tatimpaguesit, ose që vlerësohet të jetë marrë nga grupi tatimor, tatimori ka të drejtën të kërkojë shtyrjen e afatit të kontrollit, i cili hyn në fuqi pas 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.

Shpallja e falimentimit

Subjektet tatimpaguese do të kenë 2 vjet afat që të rezultojnë aktivë në aktivitetin e tyre. Në të kundërt, ndaj tyre nis procedura e falimentimit. Një tjetër rast i mbylljes së aktivitetit do të jetë dhe refuzimi për të bërë pagesën e detyrimeve të prapambetura deri në 2 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Ndërsa në fuqi mbetet dhe neni për të mos lejuar një firmë me humbje në mbi 3 vjet radhazi.

Ndjekja penale

Vendosja e një gjobe apo mase tjetër administrative nuk pezullon të drejtën e kallëzimit penal në prokurori. Në këtë rast parashikohen vepra penale administrative. Por dhe në rast kur ka përfunduar një çështje penale, nuk i heq të drejtën tatimorit të vendosjes së një mase administrative në rast të shkeljeve të parashikuara në ligjin për procedurat tatimore apo vendimet e tjera mbi marrëdhëniet tatimore.

Kallëzimi penal

Çdo subjekt që kryen me dashje evazion tatimor, nuk mbledh tatimin dhe nuk e paguan në buxhet, fsheh ose shkatërron me qëllim të dhënat, jep materiale të falsifikuara, nuk paraqitet sipas kërkesës ligjore të tatimorëve, ofron ryshfet apo dhe veprime të tjera të qëllimshme antiligjore, bëhet objekt i një kallëzimi penal prej punonjësit të administratës tatimore. Në këtë rast prokuroria nis çështjen penale në ngarkim.

Gjobat dhe bazat administrative për subjektet e biznesit në rastet e shkeljeve

1) 25 mijë lekë, mungesa e regjistrimit e përditësim i të dhënave

2) 10 mijë lekë gjobë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar

3) 5% gjobë për çdo tatim, kontribut të papaguar. Jo më pak se 10 mijë lekë

4) 5% gjobë për çdo deklaratë të plotësuar gabim. Jo më pak se 10 mijë lekë

5) 100% e shumës gjobë në rast të evazionit fiskal

6) 50% e shumës së papaguar i kalon detyrim agjentit të mbajtjes së të dhënave

7) 10 mijë lekë gjobë për mosmbajtje të të dhënave për biznesin e vogël

8) 50 mijë lekë gjobë për mosmbajtje të të dhënave për biznesin e madh

9) 10% gjobë për vlerën e paguar cash për mbi 300 mijë lekë

10) 20 mijë deri në 100 mijë lekë gjobë për mospasje të pajisjeve fiskale

11) 20 mijë deri në 100 mijë lekë gjobë për moslëshim fature apo kuponi

12) 10 mijë deri në 30 mijë lekë për drejtorin e kompanisë që nuk ka pajisjet fiskale

13) Pezullim në rast se subjekti ripërsërit mosmbajtjen e pajisjeve fiskale

14) 100 mijë deri në 1 milion gjobë për pengim të kontrollit

15) 50 për qind gjobë për kuponin dhe faturën e dhënë gabim

16) 35 mijë lekë gjobë për mosafishim të çmimeve për biznesin e vogël

17) 65 mijë lekë gjobë për mosafishim të çmimeve në biznesin e madh

30 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›