Mjekut Vata: Dajti është jashtë rrezikut për jetën
Dritan Dajti, i akuzuar si autor i vrasjes me armë zjarri të katër punonjësve të Policisë së Shtetit, ndodhet për mjekim në Spitalin e Burgut në Tiranë, por jashtë rrezikut për jetën. Ai mbeti i plagosur me tre plumba, një në këmbë, një në ije dhe një tjetër në shpatull, gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e Policisë në operacionin për arrestimin e tij në datën 7 Gusht në Durrës. Në një prononcim sot Drejtori i Spitalit të Burgut, Ylber Vata, mjek me profesion, bëri të ditur se, gjendja shëndetësore e Dritan Dajtit paraqitet e qëndrueshme. Që prej 7 gushtit kur u arrestua, 39-vjeçari Dajti i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Atij i është hequr një nga tre predhat e plumbave të marra në trup, konkretisht ajo që kishte në këmbë. "Në ditët në vijim pritet të operohet për dy predhat e tjera të mbetura, njëra nga të cilat, i ka prekur shtyllën vertebrale, duke i paralizuar atij aktualisht njërën nga gjymtyrët, këmbën e majtë", tha Vata. Por, pavarësisht kësaj, "gjendja e përgjithshme shëndetësore e Dajtit është e stabilizuar dhe nuk përbën rrezik për jetën e tij", shtoi Vata, duke e konsideruar këtë rast të zgjidhur nga ana mjekësore. Drejtori i Spitalit të Burgut foli edhe për sjelljen e Dritan Dajtit me personelin e Spitalit duke nënvizuar se "ajo është normale". Nga ana tjetër mësohet se, autoritet policore të burgut kanë marrë masa të larta sigurie për mbikëqyrjen në Dajtit në Spitalin e Burgut në Tiranë. Gati dy javë më parë në Durrës, 4 oficerë të Policisë së Shtetit, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duckollari dhe Kastriot Feskaj humbën jetën në përpjekje për të arrestuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti, i cili hapi zjarr ndaj tyre. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, mbeti i plagosur dhe vetë Dajti, ndërsa u vra shoku i tij, Ledion Mara me precedent penal të mëparshëm. Forcat e Policisë së Shtetit bënë të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti si dhe të dy bashkëpunëtorëve të tij të dyshuar. Dritan Dajti, 39 vjeç nga Tirana ishte në kërkim prej nëntorit të vitit 2003, kur u arratis nga Gjykata e rrethit të Tiranës, teksa ishte duke u proçeduar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqaj në vitin 1999 në kryeqytet. Për këtë ngjarje, Dritan Dajti u dënua në mungesë me 20 vjet burg, ndërsa me 9 vjet të tjera për arratisjen nga Gjykata e Tiranës.
...