Keltis Kruja emërohet në krye të prefekturës së Tiranës

Juristi Keltis Kruja do të drejtojë nga sot Prefekturën e Qarkut të Tiranës, duke zëvendësuar në këtë detyrë z.Ruzhdi Keçi. Keltis Kruja ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2003 dhe ka kryer për një periudhë katër vjeçare detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Inspektimit në Ministrinë e Brendshme. Ai u emërua në krye të prefekturës së Tiranës, më e madhja në shkallë vendi, me propozim të Ministrit të Brendshëm dhe vendim të Këshillit të Ministrave. Prefekti i ri, Keltis Kruja u prezantua sot përpara stafit të këtij institucioni, ku ishin të pranishëm dhe zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni dhe ish-prefekti i Tiranës,Ruzhdi Keçi. Në fjalën e tij,Kruja shprehu angazhimin maksimal për të vazhduar të gjithë punën e suksesshme të bërë deri tani dhe premtoi se “do të jem zëri dhe mbështetja juaj për të bërë në mënyrë sa më të mirë atë që ky qark meriton”. Duke i uruar suksese në këtë detyrë, z. Poni shprehu bindjen se “Kruja do të vazhdojë punën me ritme më të larta dhe ambicioze në prefekturën e Tiranës, në kuadër edhe të reformave të mëdha integruese që kjo qeveri ka bërë dhe sigurisht do t’i thellojë katër vitet e ardhshme”. Ndërsa Keçi,që ka drejtuar për 4 vjet Prefekturën e Tiranës, cilësoi në fjalën e tij se “në kulturën tonë demokratike ngjarje të tilla të ndërrimit të funksioneve janë gjëra normale, dhe këtë ndryshim e kuptoj si një ambicie dhe qëllim të maxhorancës për të përmirësuar dhe dhënë një shtysë më të fuqishme premtimeve që ka mbajtur dhe që padyshim do të realizojë në katër vitet e ardhshme“.
...