E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekut nuk mund ti hiqet e drejta e recetës

Urdhri për nënshkrimin e ilaçeve vetëm nga shefi do të rishikohet pas vendosjes së protokolleve të mjekimit

Urdhri i lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë një javë më parë ka ngjallur debate e diskutime mes punonjësve të shëndetësisë. Mjekët janë qejfmbetur nga kjo histori, e cila, sipas tyre, u heq disa nga të drejtat, të cilat parashikohen në “statusin” e profesionit të mjekut. Sipas urdhrit, mjekët e thjeshtë nuk do të kenë më të drejtë të përshkruajnë receta për pacientët, në këtë mënyrë mendohet të eliminohet edhe problemi i “klientelizmit”.

Me urdhër apo jo, me leje apo pa leje, pavarësisht problematikave e gjithçka tjetër, pjesa më e madhe e mjekëve janë të mendimit që të japësh një recetë me ilaçe është një detyrim dhe një përgjegjësi që parashikon profesioni. Prandaj urdhri i lëshuar një javë më parë nga kreu i Shëndetësisë, në një mënyrë apo në një tjetër cenon mjekët në procesin e tyre të punës.
Sigurisht që lëshimi i recetës në mënyrë të rregullt apo në mënyrë të parregullt, nuk do të ndalojë mjekët për ta dhënë atë, nga zyra e institucioneve publike shëndetësore apo private sido qofshin ato. Përshkrimi i recetës është pjesë e punës dhe jo të gjithë mjekët pa përjashtim, kanë abuzuar me detyrën, kanë sjellë probleme për mbarëvajtjen e punës në spital apo kanë shkaktuar probleme te pacientët, shëndetësore apo financiare. Në të tilla kushte, kur të gjithë përfshihen brenda një “kallëpi”, punonjësit e shëndetësisë janë të mendimit se zgjidhja nuk është heqja e të drejtës së firmës e vulës, por zgjidhje të tjera alternative. Ndërkohë që strukturat drejtuese të spitalit, sqarojnë se kjo është një metodë, e cila do të funksionojë deri në një çast, kur të përcaktohen njëherë e përgjithnjë protokollet bazë të mjekimit. Pas vendosjes së kësaj, të gjithë do të bien dakord, dhe rrjedhimisht edhe rregullat apo urdhrat e tjerë, të cilat bien ndesh, do të përfshihen nga procesi i “katalizimit”.

“Në raste të domosdoshme të sugjerimit për blerje të medikamenteve që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor, për personat e shtruar në spital, ndalohet lëshimi i recetës për të blerë medikamente në rrjetin e hapur farmaceutik, pa firmën e shefit të shërbimit”, thuhet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, lëshuar zyrtarisht, një javë më parë drejt institucioneve shëndetësore.

Sipas këtij urdhri, receta për blerjen e medikamenteve jashtë listës së barnave të aprovuar për përdorim spitalor, do të lëshohet vetëm për raste që kanë indikacion absolut për mjekimin e pacientit. Receta do të lëshohet duke përshkruar principin aktiv të medikamentit. Për personelit mjekësor, ndalohet orientimi drejt farmacive të selektuara, për blerje të medikamenteve. “Ngarkohen drejtoritë e spitaleve dhe drejtoritë rajonale të sigurimeve të kujdesit shëndetësor, për kontrollin e zbatimit të këtij urdhri. Për moszbatim të urdhrit, do të ndërmerren masa administrative, deri në largim nga puna”, shkruhet urdhër.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›