Universalis, një ekspozitë për njeriun
Përveç punës restauruese dhe studimore, një pjesë të mirë të kohës Mustafa Arapi ia kushton procesit krijues. Ai nuk ka ndalur asnjëherë së pikturuari. Nëse në Shqipëri ka çelur edhe më parë ekspozita personale, këto ditë do të çelë të parën ekspozitë në Kosovë. Me ftesë të Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Arapi do të çelë më 15 prill në galerinë e këtij institucioni, ekspozitën e titulluar “Universalis”. është një aktivitet retrospektivë për krijimtarinë e tij, me 37 vepra të krijuara mes viteve 1992-2010. Për publikun e Prishtinës do të ekspozohen katër cikle të piktorit ndër vite. “Do të përfshihen vepra të ciklit të parë që kam pasur me kompozime, të ciklit të dytë me grafika, të ciklit të tretë që vijnë me një frymë metafizike duke marrë spunto nga Bizanti dhe cikli i fundit me grafika me laps, kombinuar edhe me akrilik. Këto vepra përvijojnë një linjë të krijimtarisë sime në vazhdimësinë e viteve”, shprehet Arapi. Ekspozita do të shoqërohet me një katalog, ku në mënyrë simbolike është zgjedhur në kopertinë tabloja “Apokalips”. Ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, Arapi piktor i qaset njeriut përmes sjelljeve të kësaj qenie. Në pjesën më të madhe të punëve të tij, nuk hasen qartësisht forma njerëzore, por ky dimension vjen i trajtuar simbolikisht. “Zgjedhja që kam bërë në këtë tablo përfaqëson transformimin e njeriut. Sot, qenia njerëzore është në një kërkim të vazhdueshëm, me shpikje që zëvendësojnë njëra-tjetrën, por që në një moment të caktuar mund t’i kundërvihen vetë krijuesit. “Universalis” e trajton njeriun si univers të madh, ku kanë ndodhur ngjarjet nga më të çuditshmet: barbaria, mizoria, tradhtia, pabesia. Thirrja ime është: Ku po shkon njeriu?” - tregon piktori. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill.
#