'Mjerë kush e beson pinokun plak'
Ne nje deklarate te leshuar sot ne me sdite nga selia e PS, thuhet:
'A ka më turp se të detyrohet Brukseli të përgënjeshtrojë Kryeministrin që siç gënjen për çdo gjë, gënjeu duke ja vënë këtë radhë gënjeshtrën në gojë të Brukselit?'
Kjo deklarate e lexuar nga nje prej deputeteve te reja te PS, i referohet perplasjeve mes perfaqesuesve nderkombetare dhe kryeministrit Berisha, per nje lobim, sipas ketij te fundit, kunder heqjes se vizave per Shqiperine.
'Brukseli mbrëmë u detyrua të nxjerrë komunikatë për të thënë se është e pavërtetë që ne paskemi folur kundër heqjes së vizave. Mjerë kush e beson Sali Berishën, pinokun plak që e turpëron shoqërinë tonë dhe jep shembullin më të shëmtuar për çdo qytetarnë këtë vend, - thote deklarata e sotme e PS.
Sipas Berishes dy zyrtare te PS, ne nje tavoline sipas tij ku kishte 10 veta i kane thene perfaqesuesve te Evropes, te mos heqin vizat per Shqiperine.
Lohan përgënjështron Berishën për vizat: PS nuk po lobon kundër
TIRANË - Komisioni Evropian i ka dhënë fund spekulimeve të vazhdueshme nga ana e qeverisë, sipas së cilës, Partia Socialiste dhe kryetari i saj, Edi Rama, po punojnë kundër interesave të Shqipërisë. Vetë kryeministri Sali Berisha është shprehur thuajse në çdo aktivitet se PS-ja është kundër liberalizimit të vizave, ndërkohë që nuk kanë qenë të pakta edhe deklaratat e funksionarëve të lartë të kësaj partie, të cilët kanë shtrembëruar qëndrimet që PS-ja mban gjatë takimeve, që ajo zhvillon me funksionarë të lartë të Komisionit Evropian, për çështjen e vizave. Kësaj here, reagimi i Komisionit Evropian ka qenë i drejtpërdrejtë për kryeministrin Sali Berisha, edhe pse njoftimi për shtyp i referohet raportimit të disa medieve të shkruara për darkën e shtruar për nder të Pierre Mirel, Drejtor për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë dhe Çështjet e Kosovës në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, pikërisht në Tiranë.
Komisioni Evropian është detyruar të përgënjeshtrojë një deklaratë të kryeministrit Sali Berisha, sipas së cilit, deputeti socialist Ditmir Bushati në darkën me Pierre Mirel të datës 24 nëntor, u ka kërkuar zyrtarëve evropianë të mos heqin vizat për shqiptarët, pasi kjo do të kishte pasoja. "Zoti Rama po lobon në mënyrën më të fuqishme kundër vizave. Më datën 24 nëntor ditëzi Bushati dhe Beqja i thonë Pierre Mirelit: "Mjerë ju po hoqët vizat për Shqipërinë, do të përballeni me eksodin më të papërmbajtur, me krimin më të rrezikshëm". A ka shqiptar që mund ta bëjë një gjë të tillë? Pra, këta janë emra. Të dalin dhe të thonë jo!? Sepse aty ka qenë një tryezë të paktën me 10 vetë. Raportet e dërguara në Bruksel nga zoti Rama kundër vizave nuk ka cinizëm më të madh. A e keni dëgjuar ndonjëherë liderin e opozitës, qoftë dhe një herë të vetme t'i bëjë thirrje Brukselit që të heqë vizat?", - është shprehur Berisha pak ditë më parë në emisionin "Opinion". Për të shmangur çdo paqartësi, që në fakt ka ardhur pikërisht nga deklarata sa më sipër e kryeministrit të vendit, Komisioni Evropian deklaron se më 24 nëntor në rezidencën e Shefit të Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë u mbajt një darkë për t'i krijuar zotit Mirel mundësinë të takohet me politikanë nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe parti të tjera. "Ditmir Bushati nuk ka marrë pjesë në këtë darkë", citohet në deklaratë, për të cilin Partia Demokratike dhe vetë Berisha janë shprehur shpesh herë se po punon kundër heqjes së vizave.
Duke iu referuar pikërisht darkës me Mirel, përmes një njoftimi për shtyp, Komisioni Evropian shton: "Asnjë nga pjesëmarrësit nuk ka thënë asgjë që mund të interpretohet se mund të jetë kundër interesit të Shqipërisë për të arritur sa më parë heqjen e vizave me Bashkimin Evropian, apo që mund të jetë në kundërshtim me qëllimin e saj për integrim evropian". Përdorja e aktiviteteve publike të autoriteteve të Brukselit në mënyrën me manipulative nuk është as e para, por as edhe e fundit për pushtetarët aktualë. Vetëm pak kohë më parë, reporterët e Këshillit të Evropës gjatë një vizite të zhvilluar në Tiranë përgënjeshtruan njoftimet zyrtare të kryeministrisë, madje edhe të Kuvendit, për qëndrimin që ata kishin mbajtur ndaj opozitës. Pas një takimi të zhvilluar me kryetarin e PS-së, Edi Rama, bashkë me deputetët Eduard Shalsi dhe Ditmir Bushati, ku i fundit deklaroi për mediat se ajo çka ishte informuar zyrtarisht për dy reporterët, lidhur me qëndrimin e tyre ndaj opozitës nga ana e Kryeministrisë, por edhe e Kuvendit, ishte e gënjeshtërt.
Berisha për Ditmir Bushatin:
"Zoti Rama po lobon në mënyrën më të fuqishme kundër vizave. Më datën 24 nëntor ditëziu Bushati dhe Beqja i thonë Pierre Mirelit: "Mjerë ju po hoqët vizat për Shqipërinë, do të përballeni me eksodin më të papërmbajtur, me krimin më të rrezikshëm". A ka shqiptar që mund ta bëjë një gjë të tillë? Pra, këta janë emra. Të dalin dhe të thonë jo! Sepse aty ka qenë një tryezë të paktën me 10 vetë. ..
Komisioni Evropian për deklaratën e Berishës
Ditmir Bushati nuk ka marrë pjesë në këtë darkë. Asnjë nga pjesëmarrësit nuk ka thënë asgjë që mund të interpretohet se mund të jetë kundër interesit të Shqipërisë për të arritur sa më parë heqjen e vizave me Bashkimin Evropian, apo që mund të jetë në kundërshtim me qëllimin e saj për integrim evropian.