Ministria e Kulturës përgatit draftin për shndërrimin e Cirkut në institucion kombëtar
Cirku i Tiranës nuk do të shkojë drejt zhdukjes dhe dëshira e tij për të qenë kombëtar do të realizohet. Kjo u bë e ditur dje gjatë një takimi që zhvilloi Ministri i Kulturës z. Ferdinand Xhaferraj me përfaqësuesin e sindikatës së artistëve z. Reshat Ibrahim, drejtues dhe mjeshtra të arenës së Cirkut të Tiranës, ku ai garantoi se cirku do të shndërrohet në një institucion kombëtar.
Statusi si cirk kombëtar do të thotë që cirku do të ketë dhe më shumë përfitime, si paga e pensione të posaçme për akrobatët, prestigjatorët e kllounët shqiptarë, por dhe pasurim me kafshë të zgjedhura për numra cirku. Miratimi i tij si cirk kombëtar do të bëj që ai të ketë shtrirje në të gjitha rrethet e vendit. Ky cirk ka qenë dhe është një institucion me vlera 50 vjeçare të rëndësishme edukative, gjë për të cilën ashtu siç u theksua dhe gjatë takimit me ministrin Xhaferraj, shteti duhet të krijojë kujdesin e tij, e si traditë kërkohet që nga Cirk i Tiranës të kalojë në Cirk Kombëtar. Nga ana e tij ministri Xhaferraj konfirmoi se kujdesi për institucionin e cirkut nuk është që të krijojë një acarim me Bashkinë e Tiranës, por të japë pozicionin e duhur këtij institucioni dhe artistëve, që kanë kontribuar në edukimin profesional. Në fjalën e tij ministri i theksoi se: Cirku është përfshirë si institucion Kombëtar në draftin që po përgatitet nga MTKRS. Më tej ai siguroi dhe për kujdesin e vazhdueshëm të stafit në ministri për këtë problem. Ndër të tjera ai premtoi dhe shqyrtimin e statusit të artistit. Nga ana e tyre Drejtuesit e Cirkut e përshëndetën këtë vendim të qeverisë. Gjatë këtij takimi u theksua se ndryshimet në ligjin për artin skenik pritet shumë shpejt, që të kalojnë në parlament, duke bërë që dëshira e artistëve të cirkut, që të jenë një institucion kombëtar në mbrojtje nga shteti të realizohet. Në vitin 2005 Bashkia e Tiranës bëri një riorganizim të sektorit artistik në varësi të saj dhe përfshiu në Qendrën Kulturore Tirana, Cirkun e Tiranës, Orkestrën Frymore, Bandën e qytetit dhe kinematë e qytetit. Sa i takon artistëve të tij, aktualisht cirku ka konsoliduar pozitat e tij artistike. Në një kohë kur ai ka tërhequr vëmendjen, duke rikthyer pranë tij sërish spektatorë të shumtë, çështja e pronësisë së truallit të arenës së cirkut vë në dyshim jetëgjatësinë e tij. Problemi i kthimit të pronave prek tashmë edhe arenën e cirkut, çadra e së cilës prej 50 vjetësh mbahet mend të ketë ekzistuar pikërisht në këtë truall. Në vitin 1995 Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ia ka kthyer këtë pronë publike pronarëve, të cilët në vitin 2007 ia kanë shitur atë administratorit të Universitetit UFO dhe ky i fundit kërkon largimin e çadrës së cirkut. Artistët e cirkut me anë të një letre i kërkojnë kryeministrit dhe Presidentit të Republikës të ndërhyjnë për të mos lejuar atë çfarë ndodhi me Estradën e Tiranës, duke mos shkelur të drejtën e pronarëve, artistët kërkojnë kompensimin e tyre.
Çadra e cirkut në vite
Cirku i Tiranës u krijua në vitin 1952, si bërthamë e parë pranë Estradës së Tiranës. Telat Agolli, Bajram Kurti, Xhuzepina Prendi (Shkurti), Bardhyl Jareci, Abdyl Karakashi ishin të parë që themeluan trupën e cirkut, e cila në vitin 1959 doli me premierën e parë Shkopi Magjik. Ndërsa në vitin 1964 premiera Fluturime akrobatike ishte vizioni drejt së ardhmes, ku cirku u konsolidua me profile, u shtuan varietetet etj, si dhe fuqia artistike. Në vitin 1973, cirku u nda më vete si institucion nga Estrada nga ana buxhetore dhe artistike, premierat u shtuan, po ashtu shfaqet në rrethe, niveli artistik pati rritje. Dy vjet më pas vjen çadra e cirkut, ndërsa në vitin 1976 u shfaq premiera Drejt lartësive e para në çadrën arenë të cirkut. Kjo e plotësoi cirkun me varietete të reja me kuadrin artistik, me koncepte regjisoriale dhe artistike. Kjo i dha hapësirë cirkut në krijimtari duke fuqizuar aktivitetin artistik, ku çadra shëtiste ishte në rrethe të kategorisë së parë dhe të dytë. Shfaqet u kthyen në manifestime. Studio e cirkut u arrit vetëm në vitin 1977, ku u përgatitën elementët brenda trupës profesioniste, që e kanë ushqyer trupën e cirkut me elementë të rinj. Studio dhe sot e kësaj dite ekziston, po ashtu mjeshtrit e cirkut, kontributi i tyre mbi 30 -vjeçar nuk është shuar, përkundrazi në vite ka nxjerrë elementë të cilët debutojnë e kanë debutuar në arenën e cirkut, e më gjerë.
Nga Julia Vrapi