Zhdukja e vajzës, mesazhe enigmë në celular
Familjarët kurrë nuk e kishin menduar largimin e papritur nga shtëpia të 17-vjeçares Erlinda Mulla. Iu kishte thënë se do të shkonte deri në dyqanin e fshatit, por ka kaluar java dhe ajo nuk është kthyer ende në banesën e njerëzve të burrit. Kaq ka mjaftuar për të njoftuar uniformat blu të Komisariatit të Policisë nr. 5, të cilët kanë shkuar të marrin kontakt me të afërmit e saj në Paskuqan. Inspektorët pyetën për mundësinë e qëndrimit të vajzës te të afërmit, por familjarët e hedhin poshtë këtë variant, duke shpjeguar se ajo do t’i kishte njoftuar ata për këtë veprim. Sipas dëshmive në polici, familjarët kishin kërkuar gjithandej para se të denonconin për pamundësinë e gjetjes së 17-vjeçares, e cila ishte martuar një vit më parë me një fqinjin e saj. Familjarët iu kanë thënë inspektorëve se bashkëshorti i adoleshentes është emigrant në Itali dhe ajo ndante të njëjtën çati me njerëzit e burrit, që ndodhej vetëm disa metra larg banesës së prindërve. Vajza për të mos lënë shteg për dyshime nuk ka marrë me vete asgjë, madje ajo ka dalë me rroba shtëpie e shapka, ndërsa nuk është vënë re nga askush.
Celulari i padeklaruarPolicia ka kërkuar informacion për mënyrën e jetesës së vajzës si dhe ndonjë të dhënë për njohjen e saj me dikë tjetër, por askush nuk ka ditur të thotë diçka rreth kësaj çështjeje. Nga deponimet e marra, policia nuk ka mundur të mësojë nëse vajza dispononte ndonjë numër celulari. Të paktën familjarët nuk kanë pasur dijeni për këtë, ndërsa vëllai i adoleshentes ka deklaruar se prej disa ditësh i kishte humbur celulari. Kjo deklaratë i ka bërë dyshues agjentët policorë, të cilët nisën hetimin për konfirmimin nëse nusja e re kishte në përdorim ose jo celularin e të vëllait. Uniformat blu e kanë konfirmuar zotërimin e një celulari nga e reja kur kanë pyetur djalin e kunatit të saj, që flinte në një dhomë me të. Uniformat blu i kanë rënë numrit të celularit të vëllait të vajzës, por ai ishte i fikur. Këtu ka këmbëngulur të hetojë policia, duke mos pasur asnjë të dhënë më të mirë për të gjetur vajzën. Ajo ka shpallur kërkimin për adoleshenten dhe i ka deleguar prokurorisë dosjen me të dhëna për hetime të mëtejshme. Grupi i hetimit ka kërkuar që kompania e telefonisë së lëvizshme t’i vërë në dispozicion tabulatet e thirrjeve telefonike që janë bërë drejt apo nga numri i të vëllait. Sapo e ka marrë në dorë tabulatin telefonik, grupi i hetimit verifikoi thirrjet dhe mesazhet që janë bërë nga një numër tjetër, që mendohet se do të hedhë dritë mbi arsyet e largimit, apo dhe vendosjes së nuses adoleshente. Gjurmimi i celularit duket se është rruga më e mirë për ta kthyer vajzën në shtëpi.
Informacionet operativePolicia ka kërkuar foton e 17-vjeçares nga familjarët e saj dhe e ka shpërndarë atë në të gjitha komisariatet e Tiranës dhe të rretheve. Uniformat blu të Komisariatit nr. 5 kanë aktivizuar edhe informatorët e tyre për të marrë të dhëna në rrugë operative për vendndodhjen e mundshme të vajzës. Deri dje, ata nuk zotëronin asnjë informacion të vlefshëm për gjetjen e adoleshentes. Nëse do të vonojë, ekspertët e policisë do të përdorin edhe teknikat më moderne të kohës për të gjetur vendndodhjen e celularit, edhe pse ai është i fikur. Vënia në përdorim e këtyre teknikave është e kushtueshme, por ekspertët mendojnë se më e rëndësishme është jeta e 17-vjeçares, që nuk dihet ende nëse ka ikur me dëshirë apo është mashtruar për qëllime trafikimi nga elementë kriminalë. E vetmja armë e fortë e uniformave blu është dyshimi se vajza ka shkëmbyer telefonata dhe mesazhe me telefonin e vëllait që mendohet se disponohet pa dijeninë e familjarëve të saj dhe se pas verifikimit dhe zbardhjes së plotë të bisedave do të dilet në një konkluzion të rëndësishëm hetimor si dhe në gjetjen e adoleshentes.
#