E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rifillon gjyqi i Metës, gati betimi i ekspertëve të rinj

Gjykata e Lartë pritet t’ia besojë sot riekspertimin e videos Meta-Prifti ekspertëve vendës

Tiranë Pas një pauze 1-mujore, për shkak të pushimeve të Gjykatës, pritet të rinisë sot procesi gjyqësor ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, i akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme, për korrupsion aktiv. Seanca e sotme gjyqësore pritet të pasohet nga debate të ashpra mes avokatëve dhe përfaqësuesve të akuzës, për çështjen e shumëdebatueshme të riekspertimit të videos. Më shumë se një muaj më parë, kolegji penal, i kryesuar nga gjyqtari Ardian Dvorani, vendosi të shtyje seancën e radhës për gjetjen e ekspertëve, të cilëve do t’u besohet ekspertimi i videos Meta-Prifti. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që shpalli të pavlefshëm dy ekspertimet e kryera nga amerikani Glen Brand dhe ai britanik, Ardian Philips, gjykata pritet të caktojë ekspertë vendas për përcaktimin e vërtetësisë dhe zbardhjen e bisedës mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Lartë, mësohet se praktika e gjykatave shqiptare në raste të tilla, është krijuar me caktimin e ekspertëve vendas, për kryerjen e ekspertimeve të tilla. Por një gjë e tillë do të kundërshtohet nga përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët në seancën e parë të çështjes thanë se do të kërkojnë sërish ekspertin amerikan, Glen Brand. Por tashmë ekspertët janë gjetur nga Gjykata e Lartë, e cila i ka njoftuar ata të paraqiten në seancën e sotme gjyqësore, ku do të kryejnë edhe betimin. Seanca e parashikuar të mbahet rreth orës 13:00 të mesditës do të vijojë me kryerjen e betimit nga ekspertët dhe caktimin e detyrave që ata do të kryejnë me videon Meta-Prifti. Paralelisht me këtë pjesë të procesit, avokatët e z.Meta i kanë kërkuar më herët Gjykatës së Lartë që të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të akuzës, ku i pari në radhë është ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Ish- ministri, protagonist i videos, së bashku me katër dëshmitarë të tjerë të akuzës, u paraqit në seancën e dytë gjyqësore të këtij procesi, por dëshmia e tyre nuk u dëgjua nga gjykata, pasi nuk ishte bërë e mundur gjetja e ekspertëve që do të marrin në dorë video-përgjimin. Në fillim të këtij viti, emisioni “Fiks Fare” transmetoi një video-përgjim mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-vartësit të tij, Dritan Prifti, pas së cilës nisi edhe hetimi në Prokurorinë e Përgjithshme. L.Bakillari

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›